Juventusi synon të ndryshojë ‘look’ në verë, por pa vënë peshë ekonomikisht. Administratori Damien Comolli duhet të shohë me vëmendje maksimale shpenzimet e klubit. Tani kërkesat e trajnerit Luciano Spalletti e adresojnë atë drejt profileve të lojtarëve më ekspertë, të cilët mund t’i tregojnë rrugën grupit për të fituar trofe.
Për lojtarë mbi moshën 30 vjeç mund të shpenzohet pak ose asgjë për kartonin. Megjithatë, duhet hapur portofoli për t’i bindur me paga që janë në lartësinë e karrierës së tyre.
Emrat e ëndërruar në shtëpinë bardhezi janë të njohur tashmë: Alisson Becker i Liverpool për portën, Bernardo Silva i Manchester City për mesfushën dhe Robert Lewandowski për sulmin. Alternativa të tjera janë Leon Goretzka (Bayern) e Randal Kolo Muani (në pronësi të PSG).
Për të gjithë këta emra është e domosdoshme të bëhet llogarija e pagave. Duke pasur parasysh që maksimumi për pagat është fiksuar deri në 7 milionë euro, do të thotë se për goditjet e verës Juventusi duhet të shkurtojë 20-25 milionë euro.
Më i paguari në skuadër është Dusan Vlahovic, në fund kontrate dhe në bisedime për rinovim. Nëse serbi zgjedh një aventurë tjetër, klubi kursen 12 milionë eurot e pagës së tij, por duhet ta zëvendësojë. Nëse qëndron, duhet t’i përgjysmojë pagën. Pastaj, 10 milionë euro mund të kursehen nga dyshja tjetër e sulmit, Jonathan David-Lois. Atyre u shtohen edhe Filip Kostic dhe Arkadiusz Milik.
Teun Koopmeiners, goditja e madhe e 2024-ës, në librin e pagave kushton 4 milionë euro dhe tashmë kjo shifër duket shumë e lartë në raport me rolin e tij në skuadër.
Pjesa tjetër do të vijë nga operacionet e mundshme në dalje, që varen nga dinamikat e zakonshme të merkatos. Këtu përfshihen emra si, Michele Di Gregorio (1.8 milion euro), Mattia Perin (1.5), Edon Zhegrova (2.5) dhe Juan Cabal (1.2).
Juventusi ëndërron, por më parë duhet të lirojë hapësirën për lojtarët me peshë, pastaj duhet të kuptojë si ta kompletojë puzzle-n.