“La Gazzetta dello Sport” ka folur për lëvizjet që Milani synon të bëjë në merkaton e verës. Para së gjithash, “djallit” do t’i duhet të forcojë mbrojtjen me disa pjesë, duke qenë se, sipas të gjitha gjasave, nuk do të rinovohet kontrata e Simon Kjaerit.
Për të përditshmen italiane, zgjedhjet e para janë francezët Lilian Brasie (Brest) dhe Maksons Lakrua (Volfsburg), kontratat e të cilëve me klubet përkatëse do të skadojnë më 30 qershor të vitit 2025. Prandaj, çmimi i të dyve mund të rishikohet me zbritje nga kuqezinjtë gjatë një negocimi të mundshëm. Drejtori Xhefri Monkada, megjithatë, do të kishte katër emra të tjerë të shënuar në fletoren e tij në funksion të merkatos së verës së vitit 2024. Bëhet fjalë për dy lojtarë të lirë, në fund të këtij sezoni. Ata janë Tosin Adarabiojo (Fulham) dhe Lio Keli (Bërnmëth). Dy të tjerët janë teprica të Çelsit. Më saktësisht, Benua Badiashil dhe Trevoh Shalobah e që të dy mund të kthehen në orbitën e kuqezinjve pas disa muajsh. Gjithmonë duke supozuar, megjithatë, se do të ofrojnë garanci për një gjendje e mirë fizike.
VIJA E PARË – Në fillim ishte Xhonatan David, një qendërsulmues disi në rënie te Lila (5 gola në 17 ndeshje) pas një sezoni në limitet e çmendurisë me 26 gola në 40 ndeshje. Më pas kaluam te Serhu Girasi, një guinean i Shtutgartit me 19 gola dhe dy asiste në 16 ndeshje të Bundesligës si dhuratë për t’ia paraqitur drejtuesve të Milanit. Dy profile për dy sulmues, shumë të ndryshëm pothuajse në çdo gjë, që nga struktura fizike deri te cilësitë teknike, nga momenti i formës deri te kostoja e kartonit.
Problemi i vetëm dukej se ishte zgjedhja, një prej tyre apo një tjetër qendërsulmues, ndoshta Akor Adams nga Monpelieja, një bishë 190 cm me 7 gola në karrierën e tij. Dukej kështu, sepse më pas muaji i fundit, me serinë e lëndimeve, ndryshoi gjithçka. Qendërsulmuesi? Ndoshta do të flasim sërish në qershor sepse “jorgani” është bërë shumë i shkurtër në mbrojtje e mesfushë dhe transferimi do të bëhet në dobi të atyre sektorëve. Nuk do të ketë paqe për Zhirunë e gjorë, të shtrydhur si limon, por Pioli mund të gëzojë Joviçin, i cili duket qartë se është në rritje pas disa muajsh si spektator.
PANORAMASPORT.AL