Sunday, 12. July 2026
Sport

Merlier fiton titullin e dytë rradhazi në Tour de France

GS 12/07/2026 2 Min. Lesezeit

Çiklisti belg Tim Merlier vazhdon të shkëlqejë në Tour de France 2026, duke fituar edhe etapën e tetë dhe regjistruar suksesin e dytë radhazi në garën më prestigjioze të çiklizmit.

33-vjeçari i skuadrës Soudal Quick-Step triumfoi në sprintin final në Bergerac, pasi rikuperoi në mënyrë spektakolare në metrat e fundit dhe la pas Biniam Girmay, ndërsa vendin e tretë e zuri holandezi Olav Kooij.

Kjo ishte fitorja e pestë e Merlier në historinë e Tour de France.

“Nëse fiton një etapë, mund ta fitosh edhe të dytën. Nga tri etapat për sprinterë, unë fitova dy – ky është padyshim Tour-i im,” u shpreh Merlier pas garës.

Në klasifikimin e përgjithshëm nuk pati ndryshime, me sllovenin Tadej Pogacar që vazhdon të mbajë fanellën e verdhë, me 2 minuta e 42 sekonda avantazh ndaj rivalit të tij danez Jonas Vingegaard.

Ndërkohë, organizatorët kanë njoftuar se etapa e nëntë do të shkurtohet nga 185.5 km në 155.5 km për shkak të valës së fortë të të nxehtit që ka përfshirë rajonin Corrèze, raportoi BBC Sport.

Tour de France është gara më prestigjioze e çiklizmit në botë dhe organizohet çdo vit që nga viti 1903, me përjashtim të periudhës së dy Luftërave Botërore.

Gara zhvillohet kryesisht në territorin e Francës, megjithëse shpesh nis ose kalon edhe në shtete fqinje. Edicioni i vitit 2026 përfshin 21 etapa dhe mbi 3,300 kilometra, duke kaluar nëpër fusha, male legjendare si Alpet dhe Pirenejtë, si dhe përmes qyteteve historike franceze.

Fituesi i klasifikimit të përgjithshëm mban fanellën e verdhë (Maillot Jaune), simboli më i madh i suksesit në këtë garë, ndërsa jepen edhe fanella të tjera për sprinterin më të mirë (jeshile), mbretin e maleve (me pika) dhe çiklistin më të mirë të ri (e bardhë).

Tour de France konsiderohet kulmi i çiklizmit profesionist dhe ndiqet çdo vit nga miliona tifozë në mbarë botën

Teilen: