Pas Leisterit, radhën për të festuar kthimin në Premier Ligë e ka edhe Ipsuiç, që ka festuar sot kalimin zyrtarisht në elitë. Por nëse Vardi & Co. kishin pak kohë në kategoritë e ulëta, për Ipsuiç kishin kaluar 22 vite nga hera e fundit kur kishte shijuar kategorinë më të lartë të futbollit anglez.
Fitorja 2-0 ndaj Hadërsfilld siguroi matematikisht biletën për klubin e njohur anglez i cili në të kaluarën ka fituar një herë titullin kampion, një Kupë FA dhe Kupën UEFA. Suksesi ishte mbresëlënës, duke llogaritur se një sezon më parë Ipsuiç ishte në kategorinë e tretë angleze dhe ia doli që të siguronte dy ngjitje radhazi që të kthehej në Premier Ligë.
Gjithçka është meritë edhe e trajnerit 37-vjeçar Kiran MekKena, i cili që kur mori drejtimin e skuadrës në vitin 2021, nisi krijimin e një grupi lojtarësh për të arritur pikërisht te ky objektiv, edhe pse pakkush e mendonte atëherë të mundshëm.
Trajneri ndiqet me vëmendje nga klubet e mëdha angleze, por me kthimin e Ipsuiç në Premier Ligë, vështirë se do të arrijnë ta shkëputin atë nga radhët e kësaj skuadre të paktën për edicionin e ardhshëm.
PANORAMASPORT.AL