“Nuk e di saktë situatën e Maget, por duket drejt largimit”, kjo është deklarata e perifrazuar e trajnerit Orges Shehi pas ndeshjes me Iberian, duke dhënë sinjale se shitja e senegalezit është drejt mbylljes.Kontrata e lojtarit senegalez përfundon në verën e vitit të ardhshëm dhe ai i ka bërë me dije klubit se nuk ka ndërmend të rinovojë, si dhe përfaqësia e tij menaxheriale i ka kërkuar drejtuesve të pranojë një nga ofertat që kanë mbërritur në klub.
Maget është lojtari më i kërkuar i Partizanit në merkato. Agjenti i tij ka dërguar disa oferta në klub, por deri më tani asnjë nuk e ka bindur presidentin Demi dhe stafin e tij.
Megjithatë, pritet që kjo situatë të marrë zgjidhje në ditët në vijim. Maget do largimin dhe klubi është i detyruar ta shesë nëse kërkon të bëjë biznes me të. Në këtë situatë pritet që Partizani të detyrohet të pranojë një nga disa oferta të mbërritura në tavolinë.
Siç edhe gazeta e ka raportuar prej muajsh, për Maget ka pasur interes, por edhe oferta zyrtare nga një numër i madh klubesh. Vijarreal ishte emri më i bujshëm, por kalimi në klubin e La Liga është “djegur” si opsion, pasi lojtari nuk dëshiron ta nisë nga ekipi U-21.
Klubi i Burgos dhe Deportivo La Korunjës nga La Liga 2 gjithashtu kanë shfaqur interes, me këta të fundit që kanë nisur edhe ofertë zyrtare për 21-vjeçarin. Nga Italia klubi i sapongjitur në Serie A, Venecia, po e ndjek me kujdes situatën e Magetit, madje e ka parë edhe nga afër në një nga ndeshjet e Europës. CSKA Sofje ka bërë gjithashtu ofertë zyrtare. Duhet thënë se dëshira e lojtarit më së shumti është kalimi në Spanjë, por varet nga Partizani. Maget erdhi te Partizani falas në vitin 2021 dhe në harkun e pak viteve arriti nivele mjaft të larta, duke u shndërruar në një biznes për klubin e kuq..