Vitet kalojnë për Lionel Mesin, por argjentinasi nuk resht së shkruari rekord pas rekordi.
Ai është bërë protagonist në miqësoren që Argjentina ka fituar 2-0 përballë Australisë në Pekin. Kampionët e botës i janë imponuar “kangurëve”, ku protagonist absolut ka qenë dhe Lionel Mesi. Ai ka shënuar golin e parë të takimit pas 2 minutash lojë, ndërsa suksesin e Argjentinës e ka vendosur Pezela në pjesën e dytë. Por të qëndrojmë te goli i Lionel Mesit.
“Pleshti” ka shënuar vetëm pas 79 sekondash lojë, që do të thotë se ky është goli më i shpejtë në karrierën e tij, si në nivel klubesh, ashtu dhe në nivel ekipesh kombëtare. Goli më i shpejtë në karrierën e Mesit nuk ka qenë një gol dosido. Ka qenë një “prodhim” krejt i veçantë i markës Mesi, me një të majtë të shkëlqyer në kufijtë e zonës. Kombëtarja argjentinase duket se transformon rrënjësisht Leon, i cili ndihet mjaft komod aty, duke i lejuar vetes dhe të tilla rekorde e gola plot stil.
PRECEDENTI – Precedenti i Mesit për golin më të shpejtë daton në vitin 2018 kundër Çelsit, në 1/8-at e finaleve në Ligën e Kampioneve. Aty kampioni aktual i botës shënoi pas 3 minutash, për të mbyllur llogaritë në finale 3-0. Ndër të tjera, duke folur për rekorde, në atë ndeshje – me fanellën e Barcelonës– “Pulce” arriti në 100 gola në kompeticionet europiane.
DEKLARATA – Pas miqësores që kombëtarja e Argjentinës zhvilloi të enjten në Kinë kundër Australisë (2-0), në të cilën Mesi ishte lojtari më i spikatur i ndeshjes, televizioni kombëtar argjentinas transmetoi një intervistë ekskluzive me numrin 10 të “Albiçeleste”. Në premierën e intervistës ekskluzive, “Çelësi i përjetësisë”, të cilën ai e ka ofruar për televizionin e vendit të tij, Mesi ka folur për Botërorin në Katar dhe marrëdhënien e tij me kombëtaren.
“Tani jo, por kam vuajtur shumë dhe e kam pasur shumë të vështirë. Gjithmonë kam pasur dëshirë të arrija diçka me kombëtaren dhe e kisha në kokë se do ta arrija” tha Mesi. “Pasi kam fituar gjithçka në nivel klubesh dhe individuale, nëse nuk do ta kisha bërë me kombëtaren do të më mungonte diçka. Gjatë gjithë Botërorit e kam shijuar shumë, siç nuk më kishte ndodhur kurrë më parë. E dija që mund të ishte Botërori im i fundit dhe nëse nuk do të ishim kampionë, nuk do të isha më në kombëtare”, ka rrëfyer ai.
Për sa i përket situatës së tij aktuale, me vendimin e marrë për t’u nisur drejt Majamit, Mesi siguron se: “Jam mirë, megjithëse në fillim ideja ishte ndryshe. Jemi të kënaqur me vendimin që morëm, të përgatitur dhe të etur për të përballuar sfidën e re. Mendoni se ishte një vendim, një hap i rëndësishëm”.
PANORAMASPORT.AL