Pushimeve verore po u vjen fundi dhe sezoni i ri është gati të marrë udhë. Dhe bashkë me të pritet të ketë dhe ndryshime sa u përket rregullave, që kanë si qëllim përmirësimin e cilësisë së futbollit si dhe sqarimin e disa situatave të paqarta e problematike të vëna re në të kaluarën e afërt. Bordi Ndërkombëtar i Futbollit (IFAB) ka nxjerrë një sërë risish që kanë hyrë në fuqi duke nisur nga një korriku. Janë plot 8 ndryshime të parashikuara në rregulloren e futbollit që do të minimizojnë problematikat e hasura.
Invazioni argjentinas – Ngjarjet e ndodhura në finalen e Botërorit në Katar me futjen në fushë të disa prej lojtarëve të stolit të Argjentinës ende pa u shënuar goli kanë nxitur një reagim të shpejtë nga IFAB. Më parë, ishte krejtësisht e ndaluar që çdo lojtar apo anëtar i stafit të një ekipi të ishte në fushën e lojës. Në fakt, Argjentina e theu këtë rregull, duke festuar një gol brenda vijave të kufizuara, por arbitri nuk deshi ta anulonte golin, duke pasur parasysh rëndësinë e tij të madhe. Tani rregulli ndryshon dhe thotë se goli do të anulohet vetëm nëse personi që futet në fushën e lojës ndërhyn ose ndikon në golin në fjalë.
Rregulli i ri:
Nëse, pasi është shënuar një gol dhe para se të rifillojë loja, gjyqtari konstaton se një person i paautorizuar ka qenë në fushën e lojës në momentin që është shënuar goli dhe ai person ka ndërhyrë në fushë:
1. Arbitri duhet të anulojë golin nëse personi i paautorizuar ishte:
– Një lojtar, zëvendësues, lojtar i zëvendësuar, lojtar i përjashtuar ose anëtar i stafit stërvitor të ekipit që shënoi gol do të rifillojë lojën me një goditje dënimi të drejtpërdrejtë nga pozicioni i personit të paautorizuar;
– Një person i jashtëm që ka ndikuar në aksionin e golit, përveç rastit kur goli është shënuar në mënyrën e treguar më sipër në seksionin “persona të paautorizuar në fushën e lojës”, loja do të rifillojë me një goditje dënimi.
2. Arbitri duhet ta cilësojë golin të vlefshëm nëse personi i paautorizuar ishte:
– Një lojtar, zëvendësues, lojtar i zëvendësuar, lojtar i përjashtuar ose anëtar i stafit stërvitor të ekipit që pësoi gol; një person i jashtëm që nuk ka pasur ndikim të drejtpërdrejtë në aksionin e golit.
Dy sy më shumë – IFAB kërkon të rrisë cilësinë e arbitrimit të ndeshjeve dhe për këtë ka vendosur të rrisë rëndësinë e gjyqtarit të katërt. Më parë, vetëm arbitri kryesor, ndihmës gjyqtarët, gjyqtari i katërt dhe gjyqtarët shtesë mund të jepnin mendime, ndërsa ndihmës gjyqtarit rezervë i ndalohej t’u jepte një dorë kolegëve në fushë. Tani e tutje edhe ai do të jetë aktiv në lojë. Norma e re: “Detyra e ndihmësarbitrit rezervë do të jetë të zëvendësojë një gjyqtar ndihmës, ose zyrtar të katërt ose gjyqtar shtesë që nuk mund të vazhdojë detyrën dhe të ndihmojë gjyqtarin kryesor në të njëjtën mënyrë si anëtarët e tjerë të ekipit të arbitrimit në fushë”.
Festimet – Në kampionatin e fundit botëror në Katar pamë se më shumë prej ndeshjeve koha shtesë ishte e konsiderueshme. IFAB është e vendosur të ketë më shumë lojë efektive për të shmangur humbjen e kohës. Konkretisht, rregulli i ri shkon “kundër” festimeve të golave. Që, tani e tutje, arbitri duhet të marrë parasysh kohën e humbur gjatë festimit të një goli dhe ta shtojë në fund të secilës pjesë të ndeshjes. Norma e re: “Festimi i golave bëhet një nen i veçantë në listën e arsyeve të humbjes së kohës për të cilat gjyqtari mund të zgjasë periudhën e lojës”.
Ndëshkimet me të verdhë – Ndryshim i vogël, më së shumti terminologjik shpjegues. Paralajmërimet dhe ndëshkimet të dhëna ndaj anëtarëve të stafit teknik dhe lojtarëve nuk do të merren parasysh gjatë gjuajtjes së penalltive. Normativa e re: “Gjuajtja e penalltive do të praktikohet pasi të përfundojë ndeshja (…); Paralajmërimet dhe ndëshkimet e dhëna lojtarëve dhe anëtarëve të stafit teknik gjatë ndeshjes nuk do të merren parasysh në gjuajtjen e penalltive”.
Masat disiplinore – Në thelb, rregulli i ri sqaron konceptin e “topit të diskutueshëm” gjatë ndëshkimeve. Nëse gjyqtari jep një penallti si rezultat i një shkeljeje me të cilën lojtari ka penguar një aksion të qartë goli, shkelësi do të përjashtohet nga loja vetëm nëse shkelja e përmendur është kryer pa pasur mundësinë për të luajtur topin. Normativa e re: Ka ndërhyrje të ndryshme në të cilat një lojtar do të paralajmërohet për sjellje josportive, duke përfshirë:
a) prekjen e topit me dorë për të penguar ose parandaluar përparimin e një sulmi premtues;
b) kryerjen e çdo shkeljeje tjetër që ndërhyn në një sulm premtues ose përfundon duke e shmangur aksionin e golit;
c) shmangien një mundësi të dukshme për një kundërshtar për të shënuar një gol me anë të një shkeljeje me një mosmarrëveshje me topin që synon të luajë ose të kundërshtojë topin dhe për të cilën gjyqtari cakton një penallti.
“Fajtor” është trajneri! – Nëse ka një veprim antisportiv nga ana e pankinës së një skuadre dhe gjyqtarët nuk arrijnë të identifikojnë fajtorin, do të jetë trajneri ai që do të mbartë paralajmërimin. Normativa e re: “Kur dikush që ndodhet në bankinë (zëvendësues, lojtar i zëvendësuar ose i përjashtuar, ose anëtar i stafit teknik) kryen një shkelje, por ai nuk identifikohet, do të ndëshkohet trajneri i parë i ekipit”.
Normativa “anti Dibu” – Sjellja provokuese e portierit të Argjentinës, Dibu Martinez gjatë gjuajtjeve të penalltive në botërorin e fundit nuk do të përsëritet më. IFAB ka dekretuar që portieri nuk mund të tregojë mungesë respekti ndaj kundërshtarit dhe vetë lojës së ndershme. Normativa e re: “Portieri duhet të qëndrojë në vijën e tij të portës, midis dy shtyllave të portës dhe përballë goditjes derisa topi të goditet nga kundërshtari. Portieri nuk duhet të sillet në mënyrë të atillë që të shpërqendrojë në mënyrë të paligjshme sulmuesin, p.sh. nuk do të vonojë ekzekutimin e penalltisë ose nuk do të prekë shtyllat, traversë apo rrjetën e portës”.
Pozicioni jashtë loje – IFAB ka modifikuar rregullin e “devijimeve” për pozicionin jashtë loje pas golit të shënuar nga Mbape kundër Spanjës në finalen e Ligës së Kombeve në vitin 2021. Që të mos ketë pozicion jashtë loje, mbrojtësi duhet të ketë kontrollin e plotë të topit dhe trupit të tij. Normativa e re: Një lojtar në një pozicion jashtë loje do të konsiderohet se nuk ka përfituar nga ai pozicion kur merr topin nga një kundërshtar që prek në mënyrë të vullnetshme* topin, duke përfshirë prekjen e vullnetshme të topit me dorë, përveç rastit nëse është një “shpëtim” nga një kundërshtar.
* Prekja e vullnetshme e topit (duke përjashtuar prekjen e vullnetshme me dorë) nënkupton që lojtari ka mundësinë ta kontrollojë topin dhe:
– Të pasojë te një shok i skuadrës;
– Të rikuperojë zotërimin e topit, ose të spastrojë topin me këmbë ose me kokë; Fakti që pasimi i topit, përpjekja për të rifituar zotërimin e tij, ose spastrimi është i pasaktë ose nuk arrin objektivin nuk e zhvlerëson aksionin si të qenit i vullnetshëm. Kriteret e mëposhtme duhet të përmbushen – në varësi të rastit – si tregues që lojtari ka mundësinë e kontrollit të topit e kështu që aksionin është i vullnetshëm.
– Topi vjen nga larg dhe lojtari e sheh qartësisht;
– Topi nuk lëviz me shpejtësi të paarritshme;
– Mundet të parashikohet trajektorja e topit;
– Lojtari ka të gjithë kohën e nevojshme për të koordinuar veprimet e tij;
– Është më e lehtë të luhet një top që ndodhet në fushë të hapur se sa kur topi ndodhet në zonën e rreptësisë.