Jordi Mestre, ish-nënkryetar i Barcelonës përgjegjës për sektorin sportiv nga 2015 deri në 2019, ka folur për marrëdhënien e Leo Messit me presidentin Laporta dhe për largimin e Neymarit nga klubi. Në një intervistë për Sports360, Mestre deklaroi se marrëdhëniet mes Messi-t dhe Laporta-s nuk janë të mira dhe se pak lojtarë kanë pasur ndikim kaq të madh në Barcelonë sa numri 10. Ai madje sugjeroi që tribuna e rinovuar në ‘Camp Nou’ të marrë emrin e Messit.
Mestre theksoi se Messi ka qenë vendimtar jo vetëm sportivisht, por edhe ekonomikisht. Turnetë dhe performancat e tij sollën fitime të mëdha për klubin dhe shumë lojtarë dëshironin të luanin pranë tij.
“Nga burime të tjera më është konfirmuar se Messi dhe familja e tij janë shumë, shumë, shumë të zemëruar me Laportan,” shtoi ai.
Ish-nënkryetari gjithashtu theksoi se nderimi për Messin duhet të shkojë përtej një ndeshjeje futbolli: “Duhet të bëhet diçka historike, si për shembull që tribuna të quhet Leo Messi, që emri i tij të mbahet gjeneratë pas gjenerate.”
Mestre foli edhe për Neymarin, duke thënë se largimi i tij nga Barcelona ishte një humbje e madhe: “Më vjen keq që Neymar nuk funksionoi, sepse ishte një lojtar i jashtëzakonshëm. Duhet të kishte qenë zëvendësuesi i Messi-t. Ai më tha se dëshironte të kthehej dhe e kuptoj, sepse lojtarët ishin më efektivë së bashku me Messin.”
Ish-nënkryetari kujtoi se në korrik 2017 ishte i bindur 200% se Neymar nuk do të largohej, por pak ditë më pas braziliani u transferua te PSG. Ai shtoi gjithashtu detaje për përfshirjen e agjentit Pini Zahavi në largimin e Neymarit dhe se Barcelona fitoi një proces gjyqësor kundër Neymarit dhe familjes së tij, ndërkohë që Laporta shkoi në Izrael për të negociuar.
 
			

