“Fichajes” zbulon se Lionel Messi i ka sugjeruar Barcelonës transferimin e Lautaro Martinez gjatë verës së ardhshme. Duke qenë se katalanasit janë vënë në kërkim të një qendërsulmuesi, Messi mendon se profili i sulmuesit të argjentinasit të Interit përshtatet më së miri me atë që kërkon Barcelona, sipas raportimit në fjalë.
Nuk është hera e parë që emri i Lautaro Martinez lidhet me një transferim të mundshëm te Barcelona. Lautaro është nën kontratë me Interin deri në vitin 2029, ndërsa vlera e tij në treg llogaritet te 85 milionë, nëse i referohemi Transfermarkt.
Argjentinasi, nga ana e tij, mund të jetë i hapur për një ndryshim pas disa vitesh në Itali, aty ku ka fituar trofe të rëndësishëm dhe ka vendosur disa rekorde. Mundësia për të garuar në La Liga dhe për të marrë përsipër një sfidë të re në një nga klubet e mëdha të futbollit evropian padyshim që do të ishte një hap para në karrierën e tij. Megjithatë, deri tani nuk ka asgjë konkrete.