Dyshimi i madh vazhdon t’i mundojë tifozët e Argjentinës dhe gjithë botën e futbollit: a do të marrë pjesë Lionel Messi në Botërorin 2026? Vetëm 81 ditë para turneut në SHBA, Meksikë dhe Kanada, trajneri Lionel Scaloni u shpreh: “Kjo është një pyetje më shumë për të”.
Trajneri i Argjentinës u pyet nëse Messi, në moshën 38-vjeçare, do të luajë dot në kompeticionin e kësaj vere. Messi fitoi çmimin si lojtari më i mirë në Botërorin 2022 dhe është golashënuesi më i mirë në historinë e Argjentinës me 115 gola, si dhe ngriti Kupën e Botës në Katar.
“Për mua, ju e dini si mendoj. Do të bëj gjithçka që të jetë aty. Për të mirën e futbollit, ai duhet të jetë, – tha Scaloni, duke theksuar se vendimi final i takon vetë lojtarit: – Varet nga gjendja e tij fizike dhe mendore. Jo vetëm argjentinasit duan ta shohin, por të gjithë. Dua të jetë aty, por ai vendos”.
Ndërkohë, Messi luajti në miqësoren ndaj Mauritanisë (27 mars) dhe pritet ta bëjë këtë edhe ndaj Zambias (31 mars).