Monday, 16. February 2026
Futboll

Messi revolucionon Inter Miamin, të ardhurat trefishohen dhe klubi arrin vlerën 1.35 miliardë dollarë

GS 16/02/2026 2 Min. Lesezeit

Kur Lionel Messi iu bashkua Inter Miami CF në verën e vitit 2023, pak kush e imagjinonte ndikimin e menjëhershëm që do të kishte jo vetëm në fushë, por edhe në financat e klubit amerikan. Sot, efekti “Messi” është më i dukshëm se kurrë.

Sipas raportimeve të Forbes, të ardhurat e Inter Miamit janë rritur në mënyrë marramendësem, nga 56 milionë dollarë para ardhjes së yllit argjentinas, në rreth 200 milionë dollarë aktualisht. Një rritje spektakolare që e ka shndërruar klubin në një nga markat më të fuqishme në futbollin amerikan.

Jo vetëm kaq. Inter Miami është bërë skuadra e parë në Major League Soccer me një vlerë tregu prej 1.35 miliardë dollarësh, duke vendosur një standard të ri ekonomik në kampionatin amerikan. Në aspektin sportiv, “Herons” kanë fituar trofe dhe kanë konsoliduar statusin e tyre si një nga ekipet më të forta në MLS.

Tashmë, skuadra po përgatitet për sezonin e ri, ku do ta nisë fushatën e rregullt në orët e para të 22 shkurtit përballë Los Angeles FC. Inter Miami hyn në këtë sezon si kampion në fuqi, me objektivin për të konfirmuar dominimin dhe për të zgjeruar më tej suksesin brenda dhe jashtë fushës.

Ndërkohë, ambiciet nuk ndalen këtu. Pronari i klubit, legjenda angleze David Beckham, vijon të ëndërrojë projekte edhe më të mëdha. Inter Miami po monitoron nga afër situatën e Cristiano Ronaldo, duke mbajtur të hapur mundësinë e një tjetër transferimi “galaktik” që do ta kthente MLS-në në epiqendrën e futbollit botëror.

Me Messin si lider dhe me ambicie të qarta në merkato, Inter Miami po ndërton një epokë të re, një projekt që po ndryshon historinë e sportit në Shtetet e Bashkuara.

Teilen: