Wednesday, 16. September 2026
Futboll

Messi rikthehet te Argjentina, përgatitet për lamtumirën e madhe

GS 16/09/2026 2 Min. Lesezeit

Lionel Messi është rikthyer në listën e Kombëtares së Argjentinës, ndërsa gjithçka po shkon drejt një nate të veçantë në Buenos Aires.

Kapiteni argjentinas pritet të zhvillojë ndeshjen e tij të lamtumirës më 6 tetor, në stadiumin “Monumental”, ku Argjentina do të përballet me Beninin në kuadër të ndeshjeve miqësore.

Federata Argjentinase e Futbollit ka konfirmuar përfshirjen e Messit në listën e Lionel Scalonit, ndërsa ai pritet të jetë i gatshëm për sfidën e fundit të këtij cikli.

Në total, Argjentina do të zhvillojë tri ndeshje miqësore, ndaj Bolivisë, Burkina Fasos dhe Beninit. Megjithatë, vëmendja më e madhe do të jetë te dueli i 6 tetorit, pasi pritet të shndërrohet në një lamtumirë emocionuese për një prej figurave më të rëndësishme në historinë e futbollit argjentinas.

Edhe Rodrigo De Paul dhe Giovani Lo Celso pritet të jenë në dispozicion vetëm për këtë përballje. Në “Monumental” pritet të mblidhen gjithashtu kampionët e botës nga Katari, së bashku me familjet e tyre, për ta shoqëruar Messin në këtë moment.

Presidenti i Federatës Argjentinase, Claudio Tapia, ka bërë të ditur se vendimi për ta ftuar Messin është marrë së bashku me trajnerin Lionel Scaloni, me synimin që kapiteni të ketë lamtumirën që meriton përpara tifozëve të tij.

Në listën e Scalonit janë përfshirë edhe disa emra të rinj, si Franco Mastantuono, Gianluca Prestianni, Román Vega, Matías Soulé dhe Santiago Castro.

Por mbi të gjitha, sytë do të jenë te Messi. Më 6 tetor, “Monumental” pritet të kthehet në skenën e një nate historike, ku kampioni i botës mund t’i japë lamtumirën përfundimtare tifozëve argjentinas.

Teilen: