Dy legjenda, dy funde krejtësisht të ndryshme. Lamtumira e Lionel Messit nga futbolli ndërkombëtar, në natën mes 6 dhe 7 tetorit, pritet të jetë festë kolektive. Do të jetë përshëndetja me një lojtar që për vite mbajti mbi supe “dënimin” sportiv të krahasimit me Diego Armando Maradonën.
Messi fitoi gjithçka me Barcelonën, theu rekorde, por me Argjentinën gjithmonë i mungonte Botërori. Për një pjesë të tifozëve argjentinas, ai nuk ishte mjaftueshëm. Kupa e Botës në Katar ndryshoi gjithçka. Më në fund ai shkroi historinë e tij dhe nuk kishte më nevojë të dëshmonte se ishte në lartësinë e Diegos. Tani largohet si një kampion që ka gjetur paqen dhe mirënjohjen e një populli.
Cristiano Ronaldo, në anën tjetër, mund të mos ketë një lamtumirë të tillë. Kapiten për 18 vite, fitues i një Europiani dhe “Nations League”, si dhe rekordmen me Portugalinë, ai ka ndërtuar një marrëdhënie unike me kombëtaren.
Por vitet e fundit prania e tij ka hapur debat për hapësirën që duhet t’iu lihet brezave të rinj. Mentaliteti që e bëri të madh mund ta ketë vështirësuar pranimin e perëndimit të karrierës. Dy legjenda, dy karriera të papërsëritshme, dy funde të ndryshme. Koha nuk gjykon vetëm sa i madh ke qenë, por edhe mënyrën si largohesh nga skena.