Saturday, 31. January 2026
Sport

Migjen Basha: Më ka mbetur peng fakti që nuk luajta në “Air Albania”, Euro 2016-ën nuk e ndërroj me asgjë!

GS 31/01/2026 3 Min. Lesezeit

I ftuari i radhës në rubrikën e përjavshme të fshf.org, “Legjendat flasin”, ishte ish-mesfushori i Kombëtares, Migjen Basha, i cili  rikthen kujtimet dhe rrugëtimin e tij me fanellën kuqezi, një histori e ndërtuar mbi pritje, sakrificë dhe përkushtim absolut.

Në rrëfimin e tij ish-mesfushori nis gjithçka duke treguar për emocionet që e shoqëruan kur mësoi për herë të parë se kishte marrë një ftesë në grumbullimin e Kombëtares kuqezi të drejtuar nga De Biasi. “Më kujtohet shumë mirë momenti, sepse për ata që duhet të ishin pjesë e kombëtares, kanë pasur probleme me pasaportat shqiptare. Në atë kohë kisha pasaportën e Zvicrës. Aty procedura ime ishte shumë e gjatë dhe humba tre vite larg Kombëtares. E gjithë procedura u avancua në momentin kur De Biasi u afrua te Torino. U avancua, sepse donin që unë të isha pjesë e Shqipërisë sa më shpejt. Më kujtohet shumë mirë, sepse pavarësisht se ka qenë kohë shumë e gjatë, unë e kam marrë dritën jeshile pak kohë para ndeshjes me Norvegjinë, në mars 2013. E gjithë ajo kohë ka qenë pak stresuese sepse në asnjë moment se dija kur do të ishte vërtetë drita jeshile për mua. Nga ai moment kam qenë pjesë e Kombëtares dhe u hapën dyert për të gjithë çunat nga Zvicra që vinin pastaj në Kombëtare”, tregon Basha.

Mes të tjerash ish-mesfushori u pyet edhe për pengun e tij të madh në aventurën kuqezi: “Pengu më i madh është fakti që vendosa të largohem nga kombëtarja disa muaj para inagurimit të stadiumit “Air Albania”. Dhe nuk e kam pasur fatin që të luaj një ndeshje në këtë stadium. Sepse realisht, kur e sheh një ndeshje sot në televizor apo në stadium, është një moment shumë i mirë dhe atmosfera është shumë e mirë. Pavarësisht se unë i kujtoj me shumë mall edhe momentet që kemi qenë në “Qemal Stafa”. Edhe atëherë ka qenë atmosfera super. Fakti që nuk kam luajtur një ndeshje në stadiumin e ri e kam disi peng. Por të gjitha momentet që kam pasur me Kombëtaren kanë qenë super”.

Në fund të bashkëbisedimit Basha u pyet se cilin mes dy Europianëve ku është kualifikuar Shqipëria preferonte më shumë. Përgjigja e tij ishte ajo që pritej pasi tha: “Euro 2016! Nuk e ndërroj sepse ishte hera e parë për ne. Ndoshta nuk kishim shanse në fillim sepse kishim Portugalinë, Danimarkën, Serbinë. Pastaj ishim ne dhe Armenia. Por pavarësisht asaj që ndodhi me Serbinë, ne kemi qenë një skuadër që fituam në Portugali 1-0, kemi bërë 0-0 me Danimarkën në transfertë dhe 1-1 me danezët këtu. Nuk ishte e lehtë për kundërshtarin dhe për ne. Nuk e ndërroj. Ai grup ka qenë tepër i mirë dhe angazhimi e ka bërë që ne të kualifikoheshim për në Euro 2016”.

Teilen: