Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, ka lavdëruar gjyqtarin Chris Kavanagh për vendimin “të guximshëm” që mori duke anuluar golin e vonshëm të West Hamit në fitoren 1-0 të ekipit të tij të dielën.
Arsenali mori kryesimin me pesë pikë në Ligën Premier pas triumfit minimal në “London Stadium”, ku Leandro Trossard shënoi golin vendimtar ndaj “Çekanëve”, të cilët po luftojnë për mbijetesë. Ndeshja u tensionua në minutat e fundit, kur Callum Wilson mendoi se kishte barazuar rezultatin në minutën e 95-të. Pas një kontrolli të gjatë nga VAR-i, goli u anulua për shkak të një faulli ndaj portierit David Raya nga Pablo gjatë krosimit nga këndi.
“Me siguri do ta kujtoj këtë ditë. E dinim që do të ishte një ditë e vështirë, ata po luftojnë për mbijetesë, ndërsa ne po përpiqemi të fitojmë Ligën Premier”, tha Arteta.
Trajneri shtoi: “E nisëm ndeshjen shumë mirë dhe patëm tri raste të mëdha. Pastaj erdhi lëndimi i Ben White, u desh të bënim një ndryshim dhe të përshtatemi. Hodhëm gjithçka që kishim për ta fituar. U shpërblyem për atë guxim. Pastaj janë dy aksione, një me David Raya. Ai bën një pritje të pabesueshme, dhe pastaj polemika rreth golit të anuluar, që padyshim është një vendim i madh.”
“Kur kam pasur nevojë të jem kritik, kam qenë. Por duhet t’i përgëzoj ata (gjyqtarët). Duhet shumë guxim për të dalë dhe për t’i dhënë mundësinë gjyqtarit ta shikojë aksionin. Kur e sheh pamjen, nuk ka asnjë dyshim, është faull i pastër. Ata ishin shumë të guximshëm. Aksioni e meritonte këtë. Sipas mendimit tim, është shumë e qartë. Këto janë rregullat dhe ne kërkojmë vazhdimësi.”