Milani nuk do të bëjë asnjë eksperiment në prag të sfidës së rëndësishme ndaj Bolonjës, që luhet sot në orën 20:45. Të gjithë ata që prisnin një “Milan të dytë” mbrëmjen e sotme, do të zhgënjehen.Trajneri Serxho Konseisao është i vendosur të zbresë në fushë me një formacion që mund të konsiderohet më i miri i mundshëm, duke lënë mënjanë çdo rrotacion të thellë në prag të përfundimit të sezonit. Në mungesë të Leaos, i pezulluar, dhe Fofanës, ende jo në formë pas një shqetësimi në këmbë, do të jenë emra të rëndësishëm ata që do të mbushin boshllëqet. Në vend të Leaos do të luajë Zhoao Feliks, që bëri mirë në ndeshjen ndaj Xhenoas me kontribut të drejtpërdrejtë në të dy golat.
Në krahun tjetër do të jetë Pulisiç dhe jo Çukueze, siç u përfol më herët. Në qendër të sulmit, Konseisao do ta vendosë përfundimisht sot përpara ndeshjes. Mes Gimenez dhe Joviç, është meksikani që ka një avantazh të lehtë, për shkak të paraqitjeve të fundit pozitive. Tami Abraham, i rikuperuar nga dëmtimi, do të jetë gati, por vetëm si opsion gjatë lojës. Në mesfushë, Loftus-Çik do të marrë vendin e Fofanës, një tjetër sinjal besimi nga trajneri portugez, që vlerëson shumë profilin fizik dhe përvojën e anglezit. Krahas tij do të jetë Reijnders dhe jo Musah. Në krahët e fushës, janë konfirmuar Teo Hernandez dhe Jimenez, me Uoker dhe Teraçano që do ta nisin nga stoli. Mbrojtja do të mbetet e pandryshuar me Tomorin, Pavloviç dhe Gabian para Menja.
Megjithatë, një dyshim i vetëm ekziston. Çau mund të zëvendësojë Gabian, pasi u pa në stërvitje, duke marrë vendin e tij. Konseisao e ka bërë të qartë. Nuk do të ketë vend për pendesa. Objektivi është i qartë, në tri ndeshjet e fundit të sezonit kërkohen nëntë pikë, për të parë nëse ndonjë surprizë mund të shfaqet në renditjen përfundimtare.
Dhe me një Bolonja që lufton për një vend në Champions, kuptohet qartë se ndeshja do të jetë një përballje e nivelit të lartë, jo një test për rezervat. Praktikisht, Konseisao ua ka bërë të qartë lojtarëve të tij. Nuk është momenti për të menduar për finalen e Kupës. Duhet dhënë maksimumi sot dhe nga dita e nesërme do të mendohet më pas për trofeun e dytë të sezonit.
PANORAMASPORT.AL