E ardhmja e Rafael Leao te Milani është vënë seriozisht në pikëpyetje pas një serie paraqitjesh zhgënjyese këtë sezon.
Sulmuesi portugez, i konsideruar si një nga yjet kryesorë të skuadrës, nuk ka arritur të përmbushë pritshmëritë, sidomos pas ndryshimeve taktike nga trajneri Massimiliano Allegri, i cili e ka aktivizuar në një rol më pak të natyrshëm për të.
Situata u tensionua edhe më shumë në humbjen 1-0 ndaj Lazio, ku Leao pati një paraqitje të dobët dhe u zëvendësua në minutën e 67-të. Reagimi i tij pas zëvendësimit, duke dalë nga fusha me ngadalësi dhe duke refuzuar të përshëndesë trajnerin – ka shtuar spekulimet për një largim të mundshëm.
Sipas La Gazzetta dello Sport, Milani është i gatshëm të dëgjojë oferta për 26-vjeçarin në muajt e ardhshëm. Edhe pse klauzola e tij e lirimit është 170 milionë euro, një marrëveshje mund të arrihet për një shumë më të ulët përmes negociatave.
Ndërkohë, “Rossonerët” kanë nisur kërkimet për një zëvendësues të mundshëm. Një nga emrat që po konsiderohet është Antonio Nusa i RB Leipzig.

20-vjeçari norvegjez ka treguar potencial të madh këtë sezon, duke regjistruar 3 gola dhe 3 asistime në 27 paraqitje zyrtare. Ai konsiderohet një profil i ngjashëm me Leãon për shkak të aftësive në driblim dhe shpejtësisë.
Vlera e tij në treg vlerësohet rreth 35 milionë euro, ndërsa Leipzig e kishte transferuar nga Club Brugge në vitin 2024 për 21 milionë euro.