Monday, 28. September 2026
Sport

MILAN NË TË KUQE! Humbje prej 25 milionë euro – Champions League i kushton shtrenjtë kuqezinjve

GS 28/09/2026 2 Min. Lesezeit

AC Milan pritet ta mbyllë vitin financiar me një humbje të konsoliduar prej rreth 25 milionë eurosh, kryesisht për shkak të mungesës së kualifikimit në Champions League.

Sipas raportimeve të mediave italiane, bordi drejtues i klubit kuqezi pritet të mblidhet brenda 48 orëve të ardhshme për të miratuar pasqyrat financiare, të cilat më pas do t’u prezantohen aksionarëve gjatë muajit të ardhshëm.
Pas disa viteve me bilance pozitive, Milani pritet të rikthehet në të kuqe këtë vit, përcjell ORAinfo.

Arsyeja kryesore lidhet me moskualifikimin në Champions League, kompeticion që sjell të ardhura dukshëm më të larta sesa Europa League.

Pjesëmarrja në Champions League konsiderohej shumë e rëndësishme për klubin jo vetëm nga aspekti sportiv, por edhe për të ardhurat që gjeneron. Europa League siguron të ardhura, por nuk arrin të kompensojë plotësisht mungesën e të ardhurave nga turneu elitar evropian.

Megjithatë, sipas raportimeve, humbja e parashikuar prej rreth 25 milionë eurosh nuk përbën një rrezik të madh financiar për Milanin.

Puna e bërë gjatë viteve të fundit dhe përmirësimi i situatës ekonomike të klubit kanë krijuar një bazë që i lejon kuqezinjtë ta përballojnë këtë rezultat negativ.

Kështu, Milani pritet ta mbyllë vitin me bilanc negativ, por pa hyrë në një situatë alarmante financiare. Mungesa e Champions League ka ndikuar ndjeshëm në të ardhurat e klubit, ndërsa drejtuesit tashmë do të duhet të punojnë për rikthimin në kompeticionin më prestigjioz evropian. /ORAinfo/

Teilen: