Milan nis të zbrasë radhët pas disa afrimeve që ka kryer në merkaton e verës apo planifikimeve që ka bërë.
Kuqezinjtë kanë nevojë për para dhe pas shitjes së Sandro Tonali te Newcastle, i dyti në listë për të lënë Milanello është mesfushori belg Charles de Ketelaere.
Lojtari i kushtoi 32 milionë euro Milan një vit më parë, duke zhgënjyer në debutimin e tij me fanellën kuqezi. Ky “flop” duket se i kushton shumë mesfushorit, që pritet të lërë kuqezinjtë këtë sezon, teksa klubi i ka komunikuar se do të lihet i lirë në formë huazimi.
Sipas “Tuttosport”, destinacioni më i mundshëm për De Ketelaere është skuadra e Atalanta, ku 22-vjeçari shpreson të shpërthejë. Jo vetëm Seria A por edhe nga Premier League janë interesuar për belgun, por kuqezinjtë ia kanë bërë të qartë se duhen të paktën 30 milionë euro.
Ky është edhe kushti për ta lënë të lirë në formë huazimi, me të drejtë blerje për 25-30 milionë euro. Një tjetër emër që pritet të lërë Milan është sulmuesi Divock Origi, që me kuqezinjtë nuk la gjurmë. Klubi shpreson ta sistemojë në Turqi, ku ka disa oferta për të.