Një Milan ndryshe, që pëson më pak gola, por edhe… me më shumë lojtarë sulmues. E mundur? 4-2-3-1 do të mbetet i njëjti që përdor Pioli.
Paulo Fonseka, megjithatë, po studion një version të “Djallit” me qendrën e rëndesës më të avancuar, duke mbajtur parasysh sinjalet pozitive të miqësoreve parasezonale plot kënaqësi falë sukseseve me Realin e Madridit dhe Mançester Sitin. Mbi të gjitha Çukvueze, i cili ka rezultuar më i miri në tre daljet e para të kuqezinjve.
HAPËSIRA— Pioli gjeti strukturën më solide në 2023- 24, kur përdori Pulisiçin në të djathtë, Leao në anën e kundërt dhe Loftus-çik pas shpinës së pykës Zhiru. Ishlojtari amerikan i Çelsit luajti sezonin më të mirë të karrierës së tij dhe u përdor në 41 nga 50 paraqitjet e tij pikërisht në korsinë e djathtë. Cilësitë e tij, megjithatë, e lejojnë të mbulojë të tre rolet pas sulmuesit, ashtu siç ndodhi si në Londër me Blutë dhe me ekipin kombëtar të Sh.B.A-së.
Kjo është arsyeja pse Fonseka po mendon të centralizojë numrin 11 për t’ia lënë krahun e djathtë nigerianit Çukvueze që ka qenë ndër më të mirë në miqësoret e para. Por në organikë është edhe një farë Loftus-Çik. Nga i cili Paulo natyrisht nuk mund të heqë dorë, sepse, për sa i përket personalitetit, forcës dhe udhëheqjes, ai është një nga themelet e ekipit. Anglezi mund të kthehet prapa dhe të pozicionohet mes dy mesfushorëve: përkrah Reijnders ose Fofana, nëse operacioni me Monakon realizohet.
NË TË DJATHTË – Sigurisht Çukvueze i cili tregoi disa ide interesante me Rapid Vjenën dhe ishte shkatërrues ndaj Sitit (dy asiste) dhe Real Madridit (gol vendimtar). Nëse është shumë herët për të folur për një rinisje pas një sezoni 2023-2024 për ta harruar, për nigerianin është gjithsesi një fillim më i shpejtë që ai kishte planifikuar për të shfrytëzuar hapësirën në dispozicion, falë kthimeve të vonuara të shokëve të tij të skuadrës që ktheheshin nga kampionati europian dhe Kupa e Amerikës.
Askush në “Milanello” nuk i ka vënë në dyshim cilësitë e tij, por vlerësimi i rëndësishëm që klubi që për ta rrëmbyer nga Villarreal dha 20 milionë plus 8 bonuse, përfundoi duke e kushtëzuar të paktën po aq sa problemet fizike, pjesëmarrja në Kupën e Kombeve të Afrikës dhe performancat e Pulisiçit. Tani, megjithatë, “Çuku” po e nis nga zero, me një dëshirë të madhe për të bërë mirë.
PESHA SULMUESE – Është e qartë se Milani me Pulisiçin si fantazist dhe Loftus-Çikun si mesfushor është një ekip që ka edhe më shumë papara shikueshmëri, shpërthime dhe driblime nga mesi lart. Gjithashtu sepse në krahë duhet shtuar shtytja e Emerson Rojalit (ose Kalabrias) dhe Teo Hernandez.
Megjithatë, kushtojini vëmendje edhe Salmakersit që Fonseka do të dëshironte ta mbante sepse edhe ai po bën shumë mirë dhe kështu do të kishte një alternativë ndaj Çukvuezes, me Pulisiçin gjithmonë si fantazisti, ose për Leaon, duke qenë se belgu mund të përdoret për të dyja korsitë siç i ndodhi në Bolonja.
Përgatiti: REINOLD BAKALLI – PANORAMASPORT.AL