Milani i Ruben Amorim mbërrin në derbin me Interin pas një fillim sezoni me dy fytyra. Skuadra alternon paraqitjet bindëse me ndeshje ku duket krejtësisht jashtë loje. Humbja e rëndë ndaj Bologna ka nxjerrë sërish në pah problemet, pikërisht në prag të një përballjeje vendimtare.
ÇFARË FUNKSIONON
Pas zhgënjimit me Bologna, individualisht spikasin kryesisht Cisse dhe Hutchinson. I pari, golashënuesi më i mirë i Milanit këtë sezon, impresionon me natyrshmërinë, lëvizjet dhe zgjedhjet e duhura në lojë. Hutchinson po rritet gjithashtu, duke zbatuar më mirë idetë e Amorim: presion i lartë, depërtime në hapësirat mes linjave dhe vertikalizim i lojës.
Lajme të mira vijnë edhe nga infermieria: Gila, Rabiot dhe Moreira janë rikuperuar. Ndaj Bologna u panë gjithashtu disa momente të lojës që kërkon Amorim, me dalje të shpejta nga presioni, zhvillim në krahë dhe ndryshime të lojës nga njëra anë në tjetrën.
ÇFARË NUK FUNKSIONON
Problemet janë të shumta. Vetë Amorim pranoi pas ndeshjes me Bologna se skuadra ka mbetur pa energji. Milani ka një organikë të shkurtër, ndërsa mungesat e 6-8 lojtarëve në periudhat me ndeshje çdo tri ditë e bëjnë të pamundur rotacionin efektiv. Kështu, të njëjtët futbollistë detyrohen të luajnë vazhdimisht, duke rritur lodhjen dhe rrezikun e dëmtimeve.
Shqetësues është edhe organizimi në mbrojtje. Golat pësohen shpesh për shkak të vendosjes së gabuar dhe gabimeve individuale. Musah mban përgjegjësi për golin e parë të Bologna, De Winter për të dytin dhe Diawara për të tretin. Pas kalimit në disavantazh 2-1, Milani sikur e braktisi ndeshjen. Një problem që nuk shpjegohet vetëm me lodhjen fizike, por edhe me aspektin psikologjik. Edhe mbrojtja në goditjet standarde mbetet një dobësi e përsëritur.
Një tjetër çështje është Gonçalo Ramos. Portugezi ende nuk po arrin të integrohet në lojën e skuadrës, pavarësisht javëve dhe ndeshjeve të kaluara. Problemi është serioz, pasi ai duhet të jetë pika kryesore e sulmit, ndërkohë që golat po vijnë kryesisht nga një mesfushor ofensiv (Cisse) dhe një mesfushor (Rabiot).
Përballë Interit, skuadra kuqezi duhet të tregojë se mund ta ruajë ekuilibrin dhe intensitetin gjatë gjithë ndeshjes, jo vetëm në momente të izoluara.