AC Milan ka bërë një merkato të jashtëzakonshme këtë verë, duke investuar rreth 150 milionë euro për përforcimin e skuadrës. Një shifër e tillë është e rrallë në futbollin italian dhe tashmë klubi kuqezi duhet të nisë të rikuperojë një pjesë të këtij investimi përmes shitjeve.
Sipas Gazzetta dello Sport, Milani mund ta balancojë këtë shpenzim me largimin e disa prej lojtarëve të skuadrës. Në veçanti, shitja e Rafael Leaos, Fikayo Tomorit dhe Youssouf Fofanës do t’i jepte klubit një pozicion pozitiv sa i përket fitimeve kapitale, përcjell ORAinfo.
Tre lojtarët së bashku mund të gjenerojnë rreth 65-70 milionë euro, një shumë që do të ndihmonte ndjeshëm në menaxhimin e bilancit financiar të klubit.
Megjithatë, situata financiare e Milanit nuk konsiderohet alarmante. Sipas raportimeve, klubi aktualisht ka një vlerësim pozitiv prej rreth 200 milionë eurosh, çka i lejon të përballojë investimin e bërë gjatë kësaj vere, edhe pse një situatë e tillë nuk mund të vazhdojë pafundësisht.
Një faktor tjetër kyç do të jetë rikthimi në Champions League. Pas investimit të madh në merkato, kualifikimi në kompeticionin elitar evropian pritet të jetë një objektiv i domosdoshëm për kuqezinjtë, pasi të ardhurat nga Champions League do të ndihmonin në stabilizimin e financave.
Nëse Milani nuk arrin të rikthehet në Champions League këtë sezon, atëherë klubi mund të detyrohet të bëjë shitje të rëndësishme gjatë verës së ardhshme.
Për momentin, megjithatë, situata nuk paraqitet si e pakontrollueshme. Milani ka bërë një investim të madh, por ka edhe mundësi konkrete për ta balancuar atë përmes shitjeve dhe rezultateve sportive.