Milani ka fituar jo pa vuajtje ndeshjen e tretë radhazi në Ligën e Kampioneve, duke hedhur një hap shumë të rëndësishëm drejt kualifikimit në turin tjetër të turneut.
Kuqezinjtë kanë mundur në transfertë Slovan Bratislavën në një sfidë që u vendos në pjesën e dytë të saj. Në të parën, Pulisiç i dha avantazhin kuqezinjve, por ata u arritën shpejt nga goli i Barsegian. Aktivizimi i Leaos në pjesën e dytë ishte lëvizja e duhur, pasi pikërisht portugezi gjeti golin e avantazhit pas një depërtimi në zonë. Vetëm tre minuta më pas, një nga lojtarët vendas i dhuroi topin Abraham i cili trefishoi shifrat për ekipin italian. Goli shkëlqyer i Marçelo në fund thjesht ngushtoi diferencën në një ndeshje që vendasit e mbyllën me 10 lojtarë.
QËNDRIMI I LEAOS
Tjetër ndeshje e nisur nga stoli, por edhe një tjetër përgjigje prej kampioni. Rafael Leao shënon dhe merr përdore Milanin për një vend më të sigurt në Ligën e Kampioneve. Portugezi ka qenë protagonist edhe i konferencës për shtyp pas suksesit në Sllovaki të “Djallit”.
Një pjesë loje dhe treguar përsëri se sa vleni?
Gjëja më e rëndësishme ishte fitorja. Kaluam në avantazh, pastaj i dhamë shanse rivalëve që morën besim. Trajneri e kishte përgatitur mirë ndeshjen, e dinim se nuk do të ishte e lehtë të luanim kundër tyre në shtëpi. Në këto ndeshje nuk mjafton cilësia për të fituar.
Përse Milani po vuan për të gjetur vazhdimësi?
Tani kanë mbetur edhe tre ndeshje të tjera, shpresojmë t’i fitojmë sepse është e rëndësishme. Kjo ndeshje sapo ka përfunduar, le të mendojmë menjëherë për atë të kampionatit. Milani duhet të synojë gjithmonë kreun e renditjeve.
Gol themelor dhe fitore e rëndësishme…
Kjo ndeshje duhet të kishte përfunduar me më shumë gola, duhej të ishim më agresivë para portës. Mund të kishim bërë më shumë, por e rëndësishme është fitorja.
Pse ky Milan luhatet kaq shumë?
Ndeshje të tilla ndodhin gjatë sezonit, ka shumë ndeshje dhe pak kohë për t’u rikuperuar. Duhet të jemi më të këqij, në këto gara duhet të futesh në fushë dhe t’u tregosh kundërshtarëve, nga fillimi në fund, se je aty për të fituar.
Si e përjetuat këtë stol?
Nuk ka asnjë problem. Trajneri e di që nuk më pëlqen të shkoj në stol, por jam gjithmonë i gatshëm të ndihmoj skuadrën. Jam i lumtur, pasi të gjithë këtu janë të lumtur, Milani po bën një punë të mirë dhe duhet t’i kuptojmë më mirë idetë e stafit.
Çfarë synimesh keni?
Kjo ndeshje e sotme ishte shumë e rëndësishme, nuk mund të bënim gjë tjetër veçse të fitonim. Ne duam të futemi në tetë më të mirat e Champions-it, kanë mbetur edhe tri ndeshje për të fituar: nëse i fitojmë do të vazhdojmë.
REINOLD BAKALLI-PANORAMASPORT.AL