Milani i ri do të nisë me disa firma që do të zyrtarizohen që në ditët e para të korrikut. Marrëveshjet janë drejt mbylljeve dhe sipas mediave italiane, kuqezinjtë kanë siguruar “po” nga lojtarë të cilët pritet të shtojnë alternativat në mesfushë për Piolin.
Daiçi Kamada është emri i parë, pasi mesfushori japonez ka zgjedhur kuqezinjtë për të vazhduar karrierën e tij pas Eintraht Frankfurt, ku i ka mbaruar kontrata. Ai pritet të zyrtarizohet shumë shpejt në klubin e ri, ashtu si edhe anglezi Ruben Loftus-Çik. Mesfushori anglez është në pronësi të Çelsit ku nuk ka më hapësira dhe parimisht ka rënë dakord për transferimin në Milano.
Milani këtë herë do të paguajë për kartonin e tij, por raportohet se negociata me londinezët janë për uljen e vlerës nga 20 milionë euro në 15 milionë euro, për të finalizuar marrëveshjen mes palëve. Pasi të mbyllë këto firma, Milani do të fokusohet më pas tërësisht te sulmi me emra si Openda, Morata, apo Arnautoviç që qarkullojnë prej kohësh në ambientet e klubit italian.
PANORAMASPORT.AL