Serxho Konseisao nuk e ka krejt gabim. Sezoni ka qenë i vështirë, ai mbërriti në kthesën e vitit të ri kalendarik dhe bëri më të mirën e tij, duke fituar menjëherë një Superkupë dhe duke tërhequr një Milan, jo tamam në formë të shkëlqyer, në finalen e Kupës së Italisë me një bonus për ta varur në gjoks si medalje.
E gjitha kjo pasi kishte poshtëruar në rezultat Interin në ndeshjen e dytë të gjysmëfinales dhe duke vijuar me derbi si i pamposhtur. E megjithatë, çdo ditë flitet për pasardhësin e tij. Ai ndoshta duhet të mësohet me logjikën e kombit në të cilin po punon, sepse ndoshta në Portugali është ndryshe, megjithëse dyshime ka për çdo shtet….
PLANI – Mbetet fakt se zgjedhja e trajnerit të sezonit 2025-26 vazhdon me një intensitet më të ulët vetëm pas atij për drejtorin sportiv. Me kusht që, në fund, drejtuesit aktualë vërtet të vendosin ta pasurojnë klubin me atë figurë të re. Është sigurisht komplekse të bësh parashikime, duke pasur parasysh se deri vonë mendohej se udhëzuesi teknik i kuqezinjve duhej domosdoshmërisht të kishte një pasaportë tjetër, përveç asaj italiane. Tani gjërat duket se kanë ndryshuar dhe, sipas asaj që raporton “La Gazzetta dello Sport”, krerët milanistë janë të vendosur të përqendrohen te trajnerët me përvojë e sidomos italianë.
EMRA NËN VËZHGIM- Prej kohësh po flitet për Alegrin, i cili ka avantazhin e të qenit të një ish-trajneri të Milanit dhe të mos ketë angazhime kontraktuale. Që nga viti i kaluar, ka pasur një ëndërrim rreth Kontes, i aftë për një mrekulli të re sportive, duke e vendosur Napolin në krye të Serisë A, por me të panjohurën se cila mund të jetë e ardhmja e tij, midis mendimit për të vazhduar me De Laurentis dhe idesë së çmendur të një kthimi në Juventus. I lirë është edhe Roberto Mançini, që, pavarësisht së kaluarës së tij interiste, është një profil institucional që e intrigon “Djallin”.
FAVORITË – E megjithatë, në orët e fundit, ka dy emra që duket se janë hedhur në pozicionin kryesor. Njëri është Xhan Piero Gasperini, i cili nuk ka ndërmend të rinovojë me Atalantën, por që nuk ka alternativa konkrete, pasi jehona e mbërritjes së mundshme në Romë është shuar. Tjetri është Mauricio Sarri. I liruar nga çdo kufizim kontraktual, pasi ka zgjidhur, pak më shumë se një vit më parë, marrëdhënien me Lacion, ish-trajneri i Napolit dhe i Juves është përsëri në majë të hipotezave kuqezi. Edhe sezonin e kaluar, u fol për të si pasardhës i Piolit, përpara se klubi t’i drejtohej fillimisht Lopetegit dhe më pas Fonsekës.
CV-i E SARRIT – I sugjeruar nga Saki te Berluskoni në vitin 2015, pastaj i skarcuar për t’u dhënë përparësi ideve që përqendroheshin te kolektivi, Sarri është rikthyer në qendër të vëmendjes, sepse, objektivisht, ai di si të ndërtojë ekipe pa pretendime të mëdha në merkato dhe, nëse gjen skuadrën e duhur, është në gjendje të ofrojë shkëndija futbolli estetikisht të rëndësishme. Ai gjithashtu di si të fitojë, edhe pse disa e kanë harruar këtë. Titulli i fundit i Juventusit mban firmën e tij dhe, një vit më parë, ai triumfoi në Ligën e Europës me Çelsin.
Ai është i vetmi trajner aktiv italian, së bashku me Ançelotin, që ka fituar tituj kombëtarë dhe ndërkombëtarë në rang klubesh. Dhe, duke folur për Karleton, do të kishte edhe sugjerimin romantik të kthimit të tij, tani që është e sigurt se ai nuk do ta udhëheqë më Realin dhe negociatat me Brazilin dështuan. Megjithatë, është e vështirë të konkurrosh me superofertën që vjen nga Arabia, edhe pse zemra është e vështirë të kontrollohet.
Përgatiti: REINOLD BAKALLI – PANORAMASPORT.AL