Pas fitores prestigjioze kundër Sitit, vjen edhe ajo ndaj kampionit të Europës, Real Madrid. Mjafton një gol i Çukvueze në pjesën e dytë me asist të Liberalit, një tjetër xhevahir i akademisë së “Djallit” pas Kamardës që gjithashtu luajti disa minuta në të gdhirë të ditës së djeshme.
Në pjesën e parë kuqezinjtë goditën edhe shtyllën me Nastin, teksa shifrat mund të kishin qenë më të thella nëse Çau me të gjithë portën përpara tij mos të kishte goditur portierin Lunin. Turneu amerikan është drejt fundit dhe kuqezinjtë do të luajnë sfidën e fundit të mërkurën në të gdhirë (01:30) më orën shqiptare kur të sfidojnë Barcelonën.
FJALA E TRAJNERIT – Megjithëse miqësore e me shumë rezerva nga të dyja skuadra, fitoret japin besim për ekipin dhe trajnerin Fonseka që ka dhënë disa deklarata në fund të takimit. “Jam i lumtur për guximin e treguar nga të gjithë lojtarët, kam ndjesi shumë të mira. Rezultati nuk është gjëja më e rëndësishme, por fitorja shkakton gjithmonë efekte pozitive dhe i bën lojtarët të besojnë në proces”, tha trajneri portugez pas ndeshjes.
“Kemi shumë për të përmirësuar, por tre javët e para kanë qenë pozitive, ndaj duhet të vazhdojmë të punojmë me entuziazëm. Punojmë me mendje të hapur dhe që tani mund të shohim se diçka po ndodh gjatë ndeshjeve. Këto miqësore kundër Sitit dhe Realit do t’u japin lojtarëve besim” shtoi ai.
AMERIKANËT – Ndeshja kundër skuadrës së Ançelotit ishte ndeshja e parë e sezonit për Pulisiç dhe Musah, pavarësisht se i pari kishte luajtur disa minuta edhe me Sitin. tekniku 51-vjeçar ka vetëm elozhe për të tijtë, teksa shton : “Kristian është fantastik. Cilësia e tij është e pabesueshme dhe besoj se do të jetë shumë i rëndësishëm edhe këtë sezon. Sa për Junusin, jam 200 për qind i sigurt se ai do të jetë një lojtar i rëndësishëm gjithashtu, Sigurisht që duhet të mësojë, ai ka karakteristikat e duhura për të luajtur në pozicionin e shkatërruesit”.
THELBËSORË – Dy lojtarët më të mirë në fushë meritojnë një diskutim të veçantë. Për Matia Liberalin, fantazisti 17- vjeçar që bëri asistimin vendimtar, Fonseka tha: “Është një talent shumë i ri që luan me guxim, por ne duhet të mendojmë për këtë, të kuptojmë se çfarë është më e mira për të. Nuk e di akoma nëse do të shkojë dhe të luajë ku mund të ketë më shumë hapësirë apo të qëndrojë. Nëse mbetet në klub, do të ketë shumë minuta në Milan Futuro (ekipi U-23). Megjithatë, të gjithë të rinjtë po tregojnë pjekuri dhe guxim”.
Megjithatë, luzitani nuk ka dyshim për Samuel Çukvuezen, autor i golit të fitores ndaj Realit. “Vitin e kaluar nuk luajti shumë dhe kur vjen një trajner i ri, të gjithë duan të bien në sy. Do të jetë i thelbësor dhe do të bëjë diferencën”, tha Fonseka. Nga ata që janë tashmë tek ata që do t’i bashkohen ekipit vetëm në Milano si Pavloviç: “Lojtarët që janë në grup tani kanë avantazhe, sepse punojnë me ne që në fillim. Megjithatë, Pavlovic nuk do ta ketë të vështirë të mësojë mënyrën tonë të lojës dhe mbrojtjes”.