AC Milan është duke monitoruar nga afër talentin e ri boshnjak Kerim Alajbegović, me synimin për ta transferuar në të ardhmen, megjithëse operacioni pritet të jetë i komplikuar.
Sipas raportimeve nga MilanNews, merkatoja e verës për kuqezinjtë do të përfshijë një kombinim mes lojtarëve me përvojë – siç kërkohet nga trajneri Massimiliano Allegri – dhe talenteve të rinj për perspektivë. Pas afrimit të Andrej Kostic, në këtë kategori futet edhe objektivi i fundit, Alajbegoviç.
Sulmuesi i ri aktualisht është pjesë e Red Bull Salzburg, por në fund të marsit Bayer Leverkusen aktivizoi klauzolën e riblerjes, duke siguruar shërbimet e tij me një kontratë pesëvjeçare që hyn në fuqi më 1 korrik 2026, përcjell ORAinfo.

Një yll në ngritje
I lindur në Këln më 21 shtator 2007, Alajbegoviç është djali i ish-mesfushorit Samin dhe e nisi karrierën te FC Köln përpara se të transferohej te Leverkusen në vitin 2021. Ai spikati me ekipin U19 të klubit gjerman, duke tërhequr interesin e Salzburgut, që e bleu për 2 milionë euro, ndërsa Leverkusen ruajti një klauzolë riblerjeje prej 10 milionë eurosh.
Debutimin profesional e bëri në kualifikueset e UEFA Champions League kundër Brann, ndërsa vetëm tri ditë më vonë shënoi golin e parë në Kupën e Austrisë ndaj Dietach. Golin e parë në kampionat e realizoi kundër Grazer AK 1902 më 9 gusht.
Këtë sezon, ai numëron 37 paraqitje në të gjitha garat, përfshirë ndeshje në UEFA Europa League dhe kualifikueset e Champions League, duke realizuar 11 gola.
Në radarët e gjigantëve italianë
Talenti boshnjak ka rënë në sy të disa klubeve të mëdha italiane. Napoli ishte i pari që shfaqi interes konkret, ndërsa më pas në garë hynë edhe Juventus dhe AS Roma.
Milani, nga ana tjetër, ka intensifikuar vëzhgimet duke dërguar skautë për ta ndjekur nga afër, përfshirë edhe një ndeshje ndërkombëtare mes Uellsit dhe Bosnjës në Cardiff. Brenda klubit italian besohet fuqishëm se Alajbegoviç ka potencial për t’u bërë një lojtar i madh.
Megjithatë, duke qenë se Bayer Leverkusen sapo ka siguruar shërbimet e tij, transferimi i tij në “San Siro” mbetet një mision i vështirë për kuqezinjtë. /ORAinfo/