Wednesday, 11. March 2026
Sport

Milani në kërkim të golave, plani kuqezi për të marrë Moise Kean me ulje çmimi

GS 11/03/2026 2 Min. Lesezeit

Pas një sezoni zhgënjyes, lojtari i Fiorentinës mund të blihet me më pak se 62 milionë eurot e klauzolës. Alternativa është Guirassy.

Mbrojtja kuqezi është më e mira e Serie A dhe mbi të Milani ka ndërtuar forcën e vet. Për të kompletuar ekipin dhe për t’u kthyer në majat europiane, duhet të kalojë provën e 9-ës. Deri tani sulmi është përbërë nga çifte të ndryshme, me interpretues të ndryshëm. Por Leao është shënuesi më i mirë me 9 gola.

Pulisiç e ndjek në kuotën e 8 golave, por ka mbetur te kjo shifër që në 2025-ën. Nkunku është ndalur te 5 golat, Füllkrug te 1 dhe Gimenez që kthehet nga dëmtimi në 0. 

Nëse Leao dhe Pulisiç janë të sigurt, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për të tjerët. Füllkrug ka një opsion blerjeje për 5 milionë euro, por duhet të shënojë gola. Nkunku dhe Gimenez janë të rrezikuar. Allegri ka shfrytëzuar kundërsulmet e Leao dhe Pulisiç, por do një sulmues zone, një lojtar të shpejtë që të marrë thellësinë dhe të aftë të fitojë duelet fizike. Një profil i tillë është Moise Kean. Sezoni me Fiorentinën nuk ka qenë i mirë për të dhe klauzola 62 milionë euro aktualisht nuk pasqyron vlerën e lojtarit, me 8 gola në 24 ndeshje kampionati.

Kostoja mund të ulet dhe Milani duhet të kuptojë sa mund të shkojë. Kean dhe Allegri kanë qenë bashkë 3 sezone te Juventusi, ku besimi i trajnerit nuk u shpërblye nga sulmuesi. Eksperienca te Fiorentina me një vend titullari e ka ndryshuar lojtarin, që ka qenë titullar edhe tek Italia.

Kean fiton 4.5 milionë euro në vit, një shifër e konsiderueshme. Te Milani ai jo vetëm do të gjente ish-trajnerin, por edhe mikun Rafael Leao, me të cilin deri tani ka bërë vetëm muzikë. Ndoshta mund të bëhen çift edhe në sulmin kuqezi.

Një tjetër pistë e shkelur në të kaluarën është Guirassy, me 12 gola në 24 ndeshje në Bundesligë. Po ashtu, një sy kuqezinjtë e kanë te zhvillimet në Torino mes Juventusit dhe Vlahoviç.

Teilen: