Zbarkimi i Junus Musait nuk i ndryshon planet e Milanit, sepse muaji gusht do të karakterizohet nga prezantime lojtarësh të tjerë. Amerikani është goditja e tetë në merkato, por me siguri nuk do të jetë e fundit.
Kjo, sepse Piolit i nevojitet një mbrojtës i majtë për t’i dhënë frymëmarrje Teo Hernandezit, një mbrojtës për të zëvendësuar numerikisht Gabian, e mundësisht një tjetër “pykë”, pasi Okafori shihet më shumë si zëvendës për Leaon.
Madje, së fundmi, po tentohet edhe Feriko Redondon, djali i Fernandos, ish-kuqezi i pafat. Kushton 5-6 milionë dhe mund të afrohet që në këtë verë.
KORSITË DIFENSIVE– Për çështje edhe listash Champions-i, mbrojtësi majtë që do të vijë do të jetë italian. Rikardo Kalafiori dhe Luka Pelegrini janë në garë për të pasuar Bal-Turenë në radhët e kuqezinjve.
I pari mund të lirohet më lehtë nga Bazeli, ndërsa i dyti, pas një sezoni si i huazuar te Lacio, kërkon një ekip stabël. Juventusi nuk do ta japë më hua, ndaj hipotetizohet shitja. I takon drejtues të “djallit” ta marrin vendimin, sepse mëngjarashi kushton 15 milionë euro, një shifër jo e vogël për dikë që po merret për të qenë rezervë.
Akoma më e lartë konsiderohet kërkesa 25 milionë eurosh e Juves për Kambiazon, ndaj drejtuesit e “djallit” vijojnë të testojnë terrenin. Ndërkohë, për të djathtën, pista “Singo” është braktisur, pasi afrikani nuk jep garanci për aspektin mbrojtës.
“PYKA” – Stefano Pioli po shtyn largimin e Lorenco Kolombos, sepse kërkon ta zëvendësojë pas një sezoni të shkëlqyer me Leçen.
E kërkon Kaljari, që edhe mund ta blejë. Me 10 milionë euro, Milani do të bindej, sepse shumën do ta investonte menjëherë për Aleho Velizin, “pykën” 187-centimetërshe, që kushton 15 milionë.
Në mos 19-vjeçari i Rozario Sentralit, nga Argjentina mund të vijë Beltran i Riverit. Ka më shumë përvojë dhe vlerë më të lartë, por qendërsulmuesi është një nevojë dhe drejtuesit duan ta përmbushin sa më shpejt.
PO MBROJTJA – Tomori e Çau titullarë, me Kalulunë e Kjaerin si zëvendës janë shumë të paktë në numër për një sezon që parashikohet të ketë mbi 50 ndeshje për Milanin. Përshtatja e ndonjë lojtari shihet si mundësi vetëm për raste emergjence, ndaj klubi po kërkon një qendërmbrojtës.
Për disa ditë u përfol Fakundo Gonzalesi, për të cilin duket se Juvja ka bërë hapa gjigantë përpara. Në këto momente po studiohet Maksim Esteve i Monpeliesë.
Huazimi me të drejtë blerjeje është rruga më e mundshme, teksa nuk përjashtohet edhe integrimi i Jan-Karlo Simiçit (djali i Darios) në ekipin e parë pas paraqitjeve më se dinjitoze që 18- vjeçari ka bërë në këto miqësore të para me Milanin.
Përgatiti: REINOLD BAKALLI – PANORAMASPORT.AL