Karlo Ançeloti në 360 gradë. Trajneri i Re alit të Madridit është intervistuar nga “Rai Radio 1” dhe nuk ka ngurruar të komentojë edhe argumentet pikante të Serisë A.
Dhe jo vetëm kaq, pasi tekniku që pak ditë më parë u vlerësua me diplomën “ad honorem” nga Universiteti i Parmës, komentoi të ardhmen e tij dhe atë të Serisë A.
Ta nisim me temën e momentit, bastet sportive…
Varësia nga lojërat e fatit është një sëmundje. Sipas meje ka qenë një neglizhencë e rëndë e këtyre djemve që kanë hyrë në atë sistem dhe duhet të kurohen. Tani drejtësia do të marrë rrugën e saj, por është pakujdesia e djemve që kanë thyer një rregull mjaft të qartë sportiv, ndaj më duket e ekzagjeruar që të përfshijmë të gjithë futbollin.
Si ju duket Milani në garën e titullit?
Milani bëri një merkato të shkëlqyer transferimesh, duke blerë lojtarë me përvojë, por edhe lojtarë të rinj interesantë. Edhe pse barazoi në të dyja ndeshjet e Championsit, kuqezinjtë po ecin mirë në Europë dhe reaguan shumë mirë pas derbit të humbur.
Cilët janë favoritët e titullit në Itali?
Sigurisht që Milani dhe Interi sepse këtë thotë edhe renditja, pavarësisht se është shumë herët për gjykime. Në luftën e “Scudetto”-s duhet të përfshihen edhe Juventusi që nuk i ka kupat dhe Napoli pavarësisht se po vuan jo pak së fundmi.
A solidarizoheni me Garsian që ashtu si ju po vuan te Napoli?
Në futbollin e sotëm, nëse nuk fiton, të largojnë. Napoli ka punësuar një trajner me ide, duhet kohë që skuadra t’i kuptojë dhe t’i shohë në fushë. Garsia është serioz dhe profesionist, ndaj mendoj se duhet vetëm kohë. Napoli do të rikthehet në garë, edhe sepse ka ruajtur të njëjtën strukturë: humbën vetëm Kimin duke marrë Natanin.
Në fund të sezonit thuhet se ju pret Brazili. Jeni gati?
Brazili? Shumë thashetheme qarkullojnë lidhur me këtë argument. Për momentin ndihem mirë te Reali i Madridit. Mendoj se e kemi nisur shumë mirë sezonin dhe shpresojmë ta përfundojmë në mënyrën më të mirë të mundshme.
Përgatiti: REINOLD BAKALLI – PANORAMASPORT.AL