Milani ka publikuar rezultatet financiare për sezonin 2025/26, duke regjistruar të hyra prej 464.6 milionë eurosh dhe një humbje neto prej rreth 24 milionë eurosh.
Pak para prezantimit të projektit të stadiumit të ri, klubi italian mbajti Mbledhjen e Aksionarëve, ku u miratuan pasqyrat financiare për vitin fiskal që përfundoi më 30 qershor 2026.
Sipas të dhënave zyrtare, modeli i qëndrueshëm dhe i diversifikuar i biznesit, i ndërtuar gjatë viteve të fundit, si dhe kontrolli i kostove, kanë ndihmuar Milanin të përballojë një pjesë të konsiderueshme të ndikimit financiar nga mungesa në garat evropiane, transmeton ORAinfo.
Performanca komerciale e klubit mbeti e fortë. Të hyrat nga sponsorët tejkaluan shifrën prej 100 milionë eurosh, ndërsa mesatarja e tifozëve në stadium ishte mbi 72 mijë për ndeshje. Kjo shifër përfaqëson mesataren më të lartë në Serie A për të dytin sezon radhazi.
Milani ka bërë të ditur gjithashtu se po hyn në një fazë të re investimesh, të mbështetur nga angazhimi afatgjatë i kompanisë RedBird dhe strategjia e saj për zhvillimin e klubit, përmes kapitalit, ekspertizës menaxheriale dhe investimeve strategjike.
Kryetari i bordit drejtues të Milanit, Paolo Scaroni, u shpreh se rezultatet dëshmojnë qëndrueshmërinë e modelit të biznesit të klubit, pavarësisht një sezoni të vështirë.
“Rezultatet tona dëshmojnë qëndrueshmërinë e modelit të biznesit në një sezon sfidues. Udhëheqja e Gerry Cardinale, së bashku me investimet afatgjata dhe ekspertizën operacionale të RedBird, kanë ndihmuar në përparimin e klubit dhe vazhdojnë të përcaktojnë të ardhmen e tij, ku konkurrueshmëria sportive mbetet prioriteti kryesor”, deklaroi Scaroni.
Ai përmendi gjithashtu emërimin e Massimo Calvelli në pozitën e drejtorit ekzekutiv (CEO), si pjesë të drejtimit të ri të klubit.
Një tjetër projekt madhor është ndërtimi i stadiumit të ri, dizajni i të cilit pritet të prezantohet zyrtarisht. Pas blerjes së zonës së San Siros në nëntor të vitit 2025, ky projekt konsiderohet një hap i rëndësishëm për krijimin e burimeve të reja të të ardhurave dhe rritjen afatgjatë të klubit.
Për të dytin vit radhazi, Milani publikoi edhe raportin e qëndrueshmërisë krahas pasqyrave financiare. Përmes Fondacionit Milan, klubi vazhdon të promovojë edukimin, përfshirjen sociale dhe mirëqenien, duke shfrytëzuar futbollin si mjet për ndryshime pozitive në shoqëri. /ORAinfo/