“Revolucioni” te Milani rezulton tepër i shtrenjtë. Mjaftoi një komunikatë e shkurtër që Gerry Cardinale të “fshinte” çdo siguri në klubin kuqezi, duke i fajësuar të gjithë për dështimin sportiv të sezonit. Kështu erdhën njëkohësisht shkarkimet e Massimiliano Allegrit, Igli Tares, Giorgio Furlanit dhe Geoffrey Moncadës.
Pas humbjes së rëndë ndaj Cagliarit në “San Siro”, drejtimi i klubit u trondit plotësisht. Një zgjedhje drastike që do të ketë pasoja të mëdha financiare dhe ndoshta edhe në merkaton e verës.
Bilanci i Milanit do të vuajë jo vetëm mungesën e rreth 70 milionë eurove nga Champions League, por edhe kostot e kontratave të drejtuesve të larguar. Klubi do të vazhdojë të paguajë pagat e Allegrit, Furlanit, Tares dhe Moncadës deri në skadimin e marrëveshjeve të tyre, për një total që llogaritet rreth 22 milionë euro.
Sipas “Gazzetta dello Sport”, Furlani ka kontratë deri në 2028 me kosto totale rreth 10 milionë euro bruto, ndërsa Allegri deri më 2027 me rreth 9 milionë euro bruto. Tare peshon rreth 3 milionë euro bruto, ndërsa Moncada do të paguhet vetëm deri më 30 qershor.
Në total, mes shkarkimeve dhe mungesës së të ardhurave nga UEFA, Milani pritet të humbasë rreth 90-92 milionë euro.