Thursday, 20. August 2026
Sport

MILANI SHPËRTHEN NË VLERË! Nga vendi i 16-të në të 14-in në botë, rekord prej 514 milionë euro

GS 20/08/2026 2 Min. Lesezeit

AC Milan ka bërë një tjetër hap të rëndësishëm në aspektin e vlerës së markës, duke u ngjitur në mesin e 15 klubeve më të vlefshme të futbollit në botë.

Sipas raportit më të fundit Brand Finance Football 50 2026, vlera e markës së Milanit është rritur me 28% krahasuar me një vit më parë, duke e ngjitur klubin nga vendi i 16-të në të 14-in në renditjen globale. Me këtë rezultat, kuqezinjtë kanë kaluar edhe rivalin italian Juventus.

Milan është vlerësuar si klubi italian me rritjen më të madhe të vlerës së markës krahasuar me edicionin e kaluar të raportit, përcjell ORAinfo.

Rritja më e madhe në botë që nga viti 2021

Shifrat bëhen edhe më mbresëlënëse kur merret në konsideratë periudha afatgjatë. Nga viti 2021 deri në vitin 2026, vlera e markës së Milanit është rritur me plot 236%, rritja më e lartë e regjistruar nga një klub futbolli në botë gjatë kësaj periudhe.

Milan renditet përpara klubeve si Aston Villa, Porto, Bayer Leverkusen dhe Arsenal në këtë aspekt.

Rekord historik prej 514 milionë eurosh

Për herë të parë në historinë e tij, Milani ka kaluar kufirin e 500 milionë eurove në vlerën e markës, duke arritur në 514 milionë euro.

Kjo përbën një rekord të ri për klubin dhe është arritur gjatë periudhës së pronësisë së RedBird.

Rezultati paraqet një përmirësim të dukshëm për Milanin, i cili vetëm një vit më parë ishte klubi me vlerën më të ulët mes tre skuadrave të mëdha italiane.

Raporti i Brand Finance nënvizon gjithashtu sfidat që vazhdon të përballet futbolli italian në aspektin komercial. Serie A mbetet e vetmja nga pesë ligat kryesore evropiane që nuk ka një markë futbolli me vlerë mbi 1 miliard euro.

Pavarësisht kësaj, rritja e Milanit gjatë viteve të fundit tregon një trend të fortë pozitiv, si në aspektin e vlerës së markës, ashtu edhe në pozicionimin e klubit në tregun ndërkombëtar. /ORAinfo/

Teilen: