Xhanluixhi Donaruma do të luajë në finalen e Ligës së Kampioneve me fanellën e PSG-së ndaj Interit. Portieri u largua nga Milani pikërisht me ambicien për të luajtur për trofeun më të rëndësishme për klube në Europë, por gjithsesi ky mbetet si një derbi për të.
Megjithatë, shumëkush nuk e di se para se të bëhej futbollist i Milanit, Donaruma ishte një lojtar i Interit, Një lojtar në tentativë, pasi në fakt, ai nuk firmosi kurrë me zikaltrit. Por provat janë në disa foto të vjetra, ku Donaruma shfaqet me fanellën me logon e Interit.
Donaruma spikati në akademinë e ASD Klub Napoli. “Gazzetta Dello Sport” tregon historinë se asokohe u monitorua nga klubet e mëdha dhe bëri disa testime me Juventusin e Xhenoan, para se të zgjidhte Interin që kishte dërguar skautë ta ndiqnin në Napoli. Zikaltrit gjetën akordin me babain e futbollistit, i siguruan edhe shkollën që do të ndiqte në Milano.
Por ndërsa ai po bëhej gati të firmoste, në mes hyri Mino Raiola. Ky i fundit ishte menaxheri i vëllait të madh, Antonios, i cili ishte portier në akademinë e Milanit. Ai i kujtoi se familja ishte milaniste dhe gjithçka ndryshoi me një telefonatë që i bëri familjarëve të tij Adriano Galiani.
Kështu, Xhixhio vendosi të shkonte te Milani, ku u bë idhull i tifozëve kuqezi, para se të kthehej në një armik për ta kur zgjodhi t’i bashkohej PSG-së. Më 31 maj, ai mund të fitojë statusin e heroit për tifozët e PSG e ndoshta ta rifitojë edhe për ata kuqezinj.
PANORAMASPORT.AL