Siç raportohet nga “La Gazzetta dello Sport”, Kristian Pulisiç është një nga fantazistët që Milani po ndjek me më shumë interes. Thuhet se kuqezinjtë kanë tashmë një marrëveshje me futbollistin amerikan, të cilit i garantojnë një rrogë prej 4 milionë eurosh në sezon.
Vetë lojtari do të ishte më se i lumtur të luante me “djallin” dhe nëse do të ishte në dorën e tij do të zbarkonte menjëherë në Milano.
Ndërkohë, e përditshmja italiane raporton se drejtuesit po punojnë për një zbritje nga Çelsi, duke u përpjekur ta marrin Pulisiçin për 15 milionë euro, ndërkohë që anglezët dëshirojnë të paktën 10 më shumë. Ndjesia është se në 20 mund të mbyllet gjithçka.
SULMI – Jo vetëm mesfusha dhe fantazisti, pasi Milani po kërkon edhe një nga golashënuesit më të mirë kampionatit të kaluar për të forcuar repartin qendërsulmues.
Siç konfirmon “Sportmediaset”, në qendër të vëmendjes është Bulaje Dia, surpriza e Serisë A të sapombaruar, i cili falë 16 golave të tij e mbajti Salernitanën në zonën e siguritë të renditjes.
Klubi nga Italia e jugut e vlerëson 25 milionë euro 27-vjeçarin ( do t’i mbushë në nëntor), por kuqezinjtë synojnë të ulin çmimin edhe në këtë rast. Salernitantës mund t’i ofrohet Adli dhe Lorenco Kolombo, plus 25 milionë euro e në këmbim të marrin Dianë, por edhe Paskuale Maxokin, mbrojtësin që i pëlqen të gjithë të mëdhave të Serisë A.
MUNDËSIA HOLANDEZE – Teksa pritet të zgjidhen situatat me Junus Musah e Tijani Reijnders, drejtuesit e “djallit” kanë pasur një kontakt me menaxherët e Doni van de Bek.
Holandezi është pjesë e Mançester Junajtidit ku trajneri Ten Hag nuk e përdor shumë siç e dëshmojnë 10 prezencat e sezonit të fundit. I blerë 44 milionë euro, tashmë 26-vjeçari vlen më pak se gjysmën.
Përvoja dhe talenti i kanë dalë në plan të dytë për shkak të dëmtimeve, por te Milani po e konsiderojnë si një bast, i cili mund të fitohet duke i dhënë pak besim Van de Bekut, që nga ana e tij do ta mirëpriste largimin nga “djajtë e kuq”.
Përgatiti: REINOLD BAKALLI – PANORAMASPORT.AL