Milano Cortina në RTSH/ Amerikanët përgënjeshtrojnë: Asnjë agjent i Ice në Lojëra!
E konfirmon përgjegjësja e sigurisë dhe shërbimeve për sportistët e skuadrës amerikane të Lojërave Olimpike Dimërore.
“Mund t’u them me siguri se nuk ka agjentë të Ice në delegacionin e skuadrës amerikane këtu në Milano. Ka shumë informacione të gabuara, supozime. Lajmet, sipas të cilave Ice është këtu për të garantuar sigurinë e Lojërave Olimpike Dimërore për llogari të skuadrës amerikane, janë false.

Me krenari dua të qartësoj se Ice nuk bën pjesë në delegacionin amerikan”, – ka thënë Nicole Deal, përgjegjëse e sigurisë dhe shërbimeve për sportistët e SHBA-ve, duke iu referuar lajmeve për praninë e agjentëve të “Immigration and Customs Enforcement” (Ice) në Milano.
“Nuk mund të flas në emër të Departamentit të Shtetit, apo të Ambasadës Amerikane, – shtoi Deal gjatë një konference shtypi në Main Media Center në Milano. – Përparësi për ne është t’u garantojmë sigurinë sportistëve amerikanë, që ata të ndjejnë mbështetjen dhe të përjetojnë një eksperiencë olimpike vërtet pozitive. Sportistët janë të sigurt dhe besimplotë. Mezi po presim orën e ceremonisë së hapjes”.