Monday, 16. February 2026
Sport

Milano-Cortina në RTSH/ “Kanibali” Klaebo! 9 të arta në 3 Olimpiada dhe gara drejt rekordit të pamundur…

GS 16/02/2026 3 Min. Lesezeit

Norvegjia ka një sportist të rrallë në gjirin e saj, që po thyen rekorde njëri pas tjetrit. Në Milano Cortina mund të shkojë në 6 medalje ari në 6 gara. Do të ishte një tjetër rekord i të gjitha disiplinave olimpike që kanë lidhje me borën dhe akullin.

Një moment heshtje dhe pastaj britma. Në borën e Tesero skiatorët norvegjezë festojnë të artën në stafetë dhe nderojnë “lokomotivën” e tyre, Johannes Klaebo. Ai sapo ka regjistruar rekordin e 9 medaljeve të arta olimpike në 3 edicione të Lojërave dimërore. Asnjë sportist i skive nordik nuk kishte arritur në këto nivele.

“Njeriu raketë”, siç e thërrasin në vendin e tij, po kalon çdo limit. Dhe nuk e ka përfunduar ende vrapin e tij: në garën e skuadrave të së mërkurës dhe finalen e së shtunës të 50 kilometrave, që për të është si një shëtitje, mund të kapë shifrën e 11 fitoreve olimpike dhe 6 të arta në 6 gara në Milano Cortina. Do të ishte një tjetër rekord.

E kanë krahasuar me Tadej Pogacar, çiklistin më të mirë të momentit. Por ndoshta i kanë hequr diçka, sepse Pogacar ndonjëherë u lë ndonjë garë rivalëve. Klaebo nuk humb kurrë dhe siç janë shprehur disa specialistë, “në garat e gjata të skive garohet vetëm për vendin e dytë”.

Po çfarë ka të veçantë ky sportist? Mjafton të shohësh memet e rrjeteve sociale, që e tregojnë si bashkëkombësin e Erling Haaland, i aftë të shkëputet në ski si sulmuesi i Manchester City. Klaebo ka një mënyrë garimi të vetën, një qëndrim dhe një ekuilibër që më parë në ski nuk kanë ekzistuar.

Tani të gjithë po tentojnë ta imitojnë, mbi të gjitha në garat me teknikë klasike, ku shkopinjtë mund të lëvizen lart e poshtë brenda binarëve. Por askush nuk e ka kualitetin, edhe fizik, për ta rivalizuar. Francezi Mathis Desloges, me tre medalje argjendi në këtë Olimpiadë, ishte një surprizë e bukur, por mbetet larg në kohë nga më i forti.

Klaebo është një fenomen për t’u studiuar, edhe kur heq skitë nga këmba. Jo më kot historia e tij në Norvegji është bërë një film dokumentar, i prodhuar nga vëllai i sportistit. Johannes është perfeksioni, një maniak i detajeve. Në grumbullim ka kërkuar që në praninë e tij pjesëtarët e delegacionit të mbajnë maskë mbrojtëse për të evituar transmetimin e mundshëm të ndonjë virusi.

Para garave nuk takon kurrë asnjë gazetar për të njëjtën arsye. Pas stërvitjes shkon të relaksohet me pasionin e tij të madh, video-lojërat online. “Paguaj çdo shifër për atë që vjen dhe më rregullon internetin në dhomë. Kam varësi nga lojërat”, – ka thënë Klaebo. Sidomos për Lojërat me L të madhe.

Teilen: