Maribori është klubi i vetëm slloven që ka luajtur në fazën grupore të Ligës së Kampionëve. Së fundi këtë e arriti nëntë vjet më parë. Celje tani i është afruar fazës së ligës në Champions, ndërsa futbollisti kosovar, Milot Avdyli, vlerësohet shumë i rëndësishëm në këtë rrugëtim.
Avdyli të mërkurën mbrëma shënoi supergol për Celjen në barazimin 1:1 ndaj Slovan Bratislavës në Sllovaki, në ndeshjen e parë të plejofit. Kështu skuadra kampione e Sllovenisë ka përparësi për ndeshjen e kthimit që zhvillohet më 26 gusht në Celje. Me fitore, Celje avancon në fazën e ligës, që e zëvendëson fazën grupore të Championsit.
“Mendoj se jemi pozicionuar mirë në fushë. Pasi shënoi Slovani, kemi marrë kontrollin e lojës dhe kemi shënuar në moment të mirë. Kam pasur shumë hapësirë për të gjuajtur dhe kam përfituar nga kjo. Është sfiduese të luash në këtë stadium. Kundërshtari ka kualitet, tifozët janë të zhurmshëm, por mendoj se të gjithë treguam karakter së bashkua dhe besoj se do ta përsërisim këtë javën e ardhshme”, ka thënë Avdyli për mediumet sllovene.
Ndeshja në Bratislavë u zhvillua para 22 mijë shikuesve.
Avdyli është zhvilluar në Kosovë. Në nivelin e të rriturve nisi te Trepça ’89. Më pas luajti katër vjet e gjysmë tek Aarau në kategorinë e dytë zvicerane. Pas një periudhe jo të suksesshme te Vorskla në Ukrainë, ku asnjëherë nuk e kishte besimin e shtabit teknik, në verën e kaluar iu bashkua Celjes në Slloveni. Dhe tani me këtë skuadër i është afruar Championsit.
Lojtari ofanziv ka luajtur për grupmoshat e reja të Kosovës, deri tek U21.
Te Celje luan edhe Veton Tusha, i transferuar javë më parë nga Drita.