Ministri i Punëve të Brendshëm Ervin Demo ka deklaruar nga Italia se liria e protestës është e drejtë kushtetuese, por dhuna nuk justifikohet.
Duke folur pas përfundimit të takimeve, të Nivelit të Lartë për Parandalimin e Varësive dhe Rehabilitimin në San Patrignano të Italisë, Demo shpjegoi ndërmarrjen e hapave institucionalë, që e lidhi drejtpërdrejt me zhvillimet e fundit në vend.
Ai nënvizoi se garantimi i së drejtës kushtetuese për të protestuar mbetet një prioritet absolut, por ai duhet të shoqërohet në mënyrë të padiskutueshme me masa të rrepta për parandalimin e çdo forme dhune dhe ruajtjen e rendit publik.
Sipas ministrit, e drejta për të protestuar nuk mund të përdoret si arsyetim për të sulmuar punonjësit e Policisë së Shtetit apo për të dëmtuar pronën publike dhe private.
“Sot këtu në San Patrignano, pata mundësi të takohem e të diskutoj me homologë nga vende të ndryshme të Bashkimit Europian, përfshirë Italinë dhe Francën. Natyrisht, një nga temat e diskutimit ishte edhe siguria publike, veçanërisht në kontekstin e protestave të dhunshme dhe sulmeve ndaj institucioneve dhe pronës publike apo private.
Zhvillimet e fundit në Shqipëri kanë nxjerrë në pah nevojën për të ndërmarrë hapa konkretë për forcimin e sigurisë publike dhe parandalimin e dhunës dhe mbrojtjen e qytetarëve dhe pronës. Italia ka ndërmarrë masa konkrete në këtë drejtim, ashtu si dhe vendet e tjera të Bashkimit Europian. Ne po i shqyrtojmë me vëmendje këto përvoja për të forcuar instrumentat ligjorë dhe kapacitetet tona institucionale. Dua të jem shumë i qartë për një gjë: E drejta për të protestuar është një e drejtë kushtetuese dhe ne jemi plotësisht të vendosur ta garantojmë dhe ta mbrojmë. Por e drejta për të protestuar nuk është e drejtë për të ushtruar dhunë, për të sulmuar punonjësit e Policisë, apo për të shkatërruar pronën publike, si dhe atë private.”, u shpreh Demo.
Demo garantoi se shteti do të mbrojë lirinë e tubimit, por paralelisht do të veprojë me vendosmëri në përputhje me ligjin për të garantuar sigurinë e çdo qytetari në të gjithë territorin e Shqipërisë, duke e cilësuar mbrojtjen e protestës dhe ruajtjen e rendit si dy detyrime që ecin ne mënyrë të pandashme pranë njëri-tjetrit.
“Ne do të garantojmë lirinë e protestës, por njëkohësisht do të marrim të gjitha masat e nevojshme, në përputhje me ligjin, për të garantuar rendin dhe sigurinë e çdo qytetari në të gjithë territorin e Shqipërisë, sepse mbrojtja e të drejtës për të protestuar dhe mbrojtja e sigurisë publike janë dy detyrime që duhet të ecin së bashku.
Prandaj, sot ne këtu diskutuam me shumë prej partnerëve tanë se kush janë hapat konkretë që mund të merren edhe në vazhdën e bashkëpunimeve institucionale për të garantuar një siguri publike më të fortë dhe më të prekshme për të gjithë qytetarët”, ka theksuar Demo.
/rtsh.al/