Thursday, 15. October 2026
Sport

Ministri Gashani: “Rama, një fëmijë i pakënaqur e qaraman”

GS 15/10/2026 3 Min. Lesezeit

Ministri i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani, ka dalë me një reagim pasi kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, bëri të ditur se Kosova rrezikon ta humb organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”. Ai ka theksuar se “Kosova do t’i organizoj Lojërat Mesdhetare 2030”.
Në reagimin në Facebook, Gashani, ka theksuar se Qeveria e Kosovës do të jetë garantuesja e këtyre Lojërave.

“Në lidhje me një status të publikuar sot nga Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ku është shpërndarë një korrespondencë e Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG) rreth organizimit të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030, si Ministër i Sportit dhe Rinisë, por edhe si anëtar i Komitetit Organizativ të Lojërave Mesdhetare, e konsideroj të rëndësishme të jap një sqarim të shkurtër. Publikimi i kësaj korrespondence, pa pasqyruar tërësinë e komunikimeve dhe angazhimeve institucionale, me një dramaticitet të panevojshëm dhe me alarm të pabazë, përbën një qasje, thënë më së buti, problematike të Kryetarit të Prishtinës, pa e përmendur faktin këtu se letra për trajtimin e punëve e shqetësimeve mes institucionesh partnere – jo për publikime e teatralitet në Facebook – i është drejtuar edhe atij, jo vetëm titullarëve tjerë të institucioneve, që ai, në stilin e fëmijës së pakënaqur e qaraman kur vijnë mysafirët, tenton t’i sulmojë”, ka shkruar Gashani.

Ai ka insistuar se përkushtimi i qeverisë për organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030” mbetet i palëkundur.

Ka shtuar se “vështirësitë, problemet dhe kompleksiteti i natyrshëm i projekteve të tilla po trajtohen me kujdes dhe vendosmëri, pa zhurmë, pa britma, pa ankesa”.

“Lojërat Mesdhetare janë një projekt me rëndësi të jashtëzakonshme për sportin, për vendin tonë dhe për prezantimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Prandaj, energjia dhe vëmendja jonë do të mbeten të përqendruara te puna konkrete, bashkëpunimi institucional dhe arritja e rezultateve, jo tek ankesat e ngritja e alarmeve e disfatizmit që është jo vetëm i rrezikshëm, por edhe i pavend e i pabazë. Lojërat Mesdhetare janë një përgjegjësi e përbashkët dhe një mundësi historike për Kosovën. Qeveria e Republikës së Kosovës që nga fillimi është dhe do të jetë garantuesja e tyre. Prandaj, qytetarë të Kosovës, po e themi përsëri: Kosova do të organizojë Lojërat Mesdhetare 2030! Kosova do të organizojë e do të shkëlqejë në Lojërat Mesdhetare 2030, në organizim të tyre dhe në sukseset e garuesve tanë në arenat sportive!”, ka shkruar Gashani.

Rama në një postim në Facebook tha se po rrezikohet të humbet e drejta e organizimit të Lojërave Mesdhetare 2030. E akuzoi Qeverinë. 

Teilen: