Monday, 16. February 2026
Sport

Ministri Gonxhja në Asamblenë Zgjedhore të FSHF: Bashkëpunim shumë i mirë me Presidentin Duka, së shpejti ligji i sponsorizimit

GS 16/02/2026 3 Min. Lesezeit

I pranishëm në Asamblenë e Përgjithshme të Zakonshme Zgjedhore ishte edhe Ministri i Turizmit, Kulturës, dhe Sportit, z.Blendi Gonxhja. Në fjalën e tij përshëndetëse, z.Gonxhja theksoi rolin kyç të FSHF në zhvillimin e sportit dhe konfirmoi se ligji i sponsorizimeve pritet të sjellë më shumë investime dhe mbështetje financiare për futbollin, ndërsa shprehu gatishmërinë për bashkëpunim të ngushtë me institucionet sportive për realizimin e kësaj nisme.

“FSHF zë një rol, një vend dhe një vëmendje shumë të madhe, do të luajmë një rol të gjithë së bashku që të jetë shumë më i fuqishëm dhe shumë më në mbështetje konkrete të nevojave që ka sporti. Futbolli është në krye për nga popullariteti dhe rëndësia si lëvizje sportive.

Do të doja të theksoja lajmet e mira dhe t’i rikonfirmoja ato që javën e shkuar mbyllëm konsultimin publik sa i takon një ligji shumë të rëndësishëm që do të na japë një horizont shumë të madh dhe të gjerë dhe të shumëpritur që është ai i sponsorizimeve.

E theksoj që për sportin në radhë të parë, kuptohet këtu vend kryesor zë futbolli përsa i përket forcës që ka për promovimin, forcës që ka për kthimin e investimit që është sponsorizimi, i cili do t’i japë shikueshmëri dhe do t’u japë atyre që do të investojnë në këtë sport një promocion dhe vizibilitet që është natyrisht shumë herë më i madh përmes futbollit, por që do të krijojë pastaj edhe një valë të re besimi, inkurajimi, dëshire si kulturë në vendin tonë për të dhënë për sportin, për të marrë mbrapsht nga sporti, në shikueshmëri, në vizibilitet dhe promocion për brandet, kompanitë, për gjithkënd që nuk e kanë vetëm pasion.

Por edhe nevojë që do të jetë në një instrument që së bashku me Presidentin Duka dhe ekspertët e tjerë që po punojmë që kjo të kthehet në një sukses dhe të mos kemi asnjë lloj problematike, të bëjmë çfarë është e mundur që të jetë efikase, duke filluar nga fundi i këtij viti mbarimi i akteve nënligjore dhe proceduriale në mënyrë që të funksionojë, që viti 2027 të jetë një epokë e re sa i takon injektimit të më shumë financave, të më shumë parave, më shumë mbështetje në sport ku futbolli zë vendin më të madh.

Jam shumë i prirur që të bashkëpunoj me kënaqësinë më të madhe me Presidentin Duka, me të gjithë Federatën Shqiptare të Futbollit dhe me shumë organizma të tjera të sportit”, – tha Ministri Gonxhja në fjalën e tij përshëndetëse në Asamblenë e Përgjithshme Zgjedhore të FSHF.

Teilen: