Ministri i Drejtësisë, Gogu, ka njoftuar se gjatë orëve të mbrëmjes se Ministria e Drejtësisë është bërë objekt i veprimeve të dhunshme, çka ka çuar në thyerjen e xhamave dhe djegien e zyrës ku ofrohej ndihmë juridike falas. Nga ngjarja nuk raportohet për persona të lënduar në radhët e stafit.
“Sonte u thyen xhamat e Ministrisë së Drejtësisë dhe u dogj zyra e ndihmës juridike falas. Fatmirësisht, asnjë punonjës nuk është lënduar. Falënderoj zjarrfikësit dhe punonjësit e Policisë që ndërhynë për të mbrojtur jetën e njerëzve dhe për të kufizuar dëmet.”, deklaron Gogu.
Në reagimin e tij, ministri vuri në dukje se pasoja kryesore e këtij akti rëndon mbi shtresat vulnerabël dhe qytetarët që kërkojnë mbështetje ligjore. Gjithashtu, ai theksoi se e drejta e të rinjve për të protestuar duhet të ndahet nga aktet e dhunshme, ndërsa përgjegjësitë do të përcaktohen nga organet e drejtësisë.
“Në atë zyrë vijnë njerëz që nuk kanë mundësi të paguajnë një avokat. Pensionistë, nëna të vetme, të rinj, viktima të dhunës. Dëmin më të rëndë nuk e pëson qeveria. E pësojnë njerëzit që kanë më shumë nevojë për ndihmë. Të rinjtë kanë të drejtë të protestojnë, të ngrenë zërin dhe të kërkojnë përgjigje për arsimin, punën dhe të ardhmen e tyre. Ata nuk mund dhe nuk duhet të identifikohen me personat që po përdorin dhunë.”, thekson Gogu.
Vijueshmëria e Shërbimit
Pavarësisht dëmeve të shkaktuara në ambientet e zyrës, Ministri Gogu garantoi se dhënia e asistencës juridike falas për qytetarët nuk do të ndërpritet.
“Nesër, ndihma juridike falas do të vazhdojë. Qytetarët do të mund ta marrin shërbimin te Hyrja e Ministrisë së Drejtësisë”, deklaroi ai.
/rtsh.al/