Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, ka njoftuar hapjen në muajin dhjetor të thirrjes së re për startup-et për vitin 2027, me një fond prej 6 milionë eurosh. Përmes kësaj skeme financimi, synohet të mbështeten rreth 170 ide inovative.
Në një postim në rrjetet sociale, Ibrahimaj bëri të ditur se të paktën 30% e financimeve do t’u dedikohen të rinjve që kanë një ide biznesi, por që ende nuk kanë krijuar një sipërmarrje.
Gjatë aktiviteteve në kuadër të Javës Globale të Sipërmarrjes (GEW 2026), ministrja zhvilloi një bashkëbisedim me studentët për rrugëtimin e sipërmarrësve dhe mundësitë e financimit.
Sipas saj, financimi do të arrijë deri në 15 mijë euro për idetë e reja dhe deri në 90 mijë euro për bizneset që synojnë zgjerimin në tregjet ndërkombëtare.
Ibrahimaj theksoi se mbështetja për të rinjtë që kanë ide inovative dhe dëshirë për të krijuar sipërmarrje konkrete do të vijojë edhe përmes kësaj skeme financimi.
“Idetë e të rinjve meritojnë mbështetje për t’u kthyer në biznese të suksesshme!
Në kuadër të Javës Globale të Sipërmarrjes (GEW 2026), bashkëbiseduam me studentët për rrugëtimin e sipërmarrësit dhe mundësitë e financimit.
Në dhjetor hapim thirrjen e re për startup-et për vitin 2027, me një fond prej 6 milionë eurosh, përmes të cilit parashikojmë të mbështesim rreth 170 ide inovative.
Të paktën 30% e financimeve do t’u dedikohen të rinjve që kanë një ide, por ende nuk kanë krijuar një biznes.
Deri në 15,000 euro financim për ide të reja dhe deri në 90,000 euro për biznese që kërkojnë të zgjerohen në tregjet ndërkombëtare.
Vazhdojmë të mbështesim të rinjtë që kanë guximin të provojnë, të krijojnë dhe t’i kthejnë idetë e tyre në sipërmarrje konkrete!”, shkruan ministrja.
/rtsh.al/