Sulmuesi nga Kosova, Mirlind Daku ka nënshkruar me klubin rus, Rubin Kazan dhe tashmë ka mbetur vetëm zyrtarizimi i transferimit dhe prezantimi i tij.
Daku shkëlqeu në sezonin e fundit në Slloveni me ekipin Mura, duke shënuar 19 gola dhe 2 asistime në 33 paraqitje.
Paraqitjet e tij të mira me sllovenët, por edhe me Ballkanin para dy sezoneve kanë bërë që Daku të pëlqehet shumë.
Sipas mediumit rus tatar-inform.ru, Rubin Kazan ka arritur tashmë marrëveshje me kroatët e Osijekut për transferimin e sulmuesit gjilanas.
Transferimi i 25-vjeçarit nën pronësi të Osijekut do t’i kushtojë 1.2 milion euro rusëve, edhe pse kroatët fillimisht kërkuan 1.5 milion dhe Rubin Kazani ofroi vetëm 1 milion euro, transmeton telegrafi.
Në të njëjtën kohë, jo të gjitha paratë do të shkojnë te klubi kroat, pasi këtu do të përfitoj edhe ish-klubi i Dakut, Llapi, i cili e shiti te Osijeku për 60 mijë euro në vitin 2016.
Llapi nga ky transferojë do t’i fitojë plot 15 për qind të shumes së transferimit, e përkthyer në 180 mijë euro.
Zyrtarizimi i Dakut te Rubin Kazan mund të vijë sot (e martë) ose në njërën nga ditët e kësaj jave.