Napoli i Antonio Kontes do të zbresë në fushën e lojës sot pasdite me misionin për të ruajtur distancën me Interin dhe për t’u afruar sa më shumë me titullin kampion. Megjithatë, ai kërkon ta largojë presionin nga ekipi i tij.“Mungojnë edhe 4 ndeshje nga fundi i kampionatit. Si për ne, ashtu edhe për ata nuk është një ndeshje vendimtare. Sigurisht që është e rëndësishme për të arritur objektivat. Leçe? Sigurisht që është një ndeshje ndryshe nga të tjerat, sepse sfidoj ekipin e qytetit ku kam lindur. Askush nuk m’i prish dot mendimet për këtë”, ka thënë trajneri.
TITULLI- Ai foli gjithashtu edhe për garën e fortë me Interin për titullin kampion.
“Unë dhe skuadra ime e kemi sensin e përgjegjësisë që nga dita e parë. Ne e arritëm objektivin e parë për të shkuar në Champions. E dimë sa i rëndësishëm është ky kompeticion në aspektin ekonomik. Objektivi i radhës ishte që të bezdisnim ekipet që ishin në krye dhe ia dolëm. Tani mbetet për t’u parë bezdia në vazhdimësi për të vënë në dyshim kampionatin për ta. Nuk duhet të harrojmë që dy javë më parë ishim 3 pikë mbrapa. Unë kam humbur dhe kam fituar kampionate në javën e fundit. Duhet të jemi të përulur. Djemtë kanë punuar mirë”, theksoi ai.
INTERI- Trajneri i napolitanëve foli edhe për barazimin spektakolar mes Interit dhe Barcelonës në Champions. Ai bën komplimente për ish-ekipin e tij. “Ky rezultat i jep më shumë vlerë asaj që ne po bëjmë në kampionat. Përpara së gjithash, dua të bëj komplimentet e mia, të cilat nuk janë komplimente kot, sepse Interi është duke përfaqësuar Italinë me dinjitet në Europë. Ky është një sinjal që kampionati italian është i një niveli të rëndësishëm”, përfundoi Konte.
PANORAMASPORT.AL