Tifozët e skuadrës shqiptare, Egnatia kanë shpalosur një banderolë në finalen e Kupës së Shqipërisë, duke shprehur mbështetjen e tyre për Kosovën në kohën kur tensionet në veri të vendit po vazhdojnë ende.
Huliganët dhe nacionalistët serbë kanë sulmuar pak ditë më parë pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it në Zveçan, shkruan lajmi.net.
“Mitrovica është Shqipëri” – shkruhej në mesazhin e shpalosur nga tifozët e Egnatias.
Krahas mesazhit të tifozëve shqiptarë ishte vendosur edhe flamuri i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Ndryshe, Egnatia me triumfin në finalen e Kupës së Shqipërisë ka shkruar historinë duke e fituar trofeun e parë madhor që prej themelimit të klubit.
Egnatia është kampioni i ri i Kupës së Shqipërisë, pasi që në finale e mposhti skuadrën e Tiranës.
Pas plot 120 minutave lojë, ku u nevojitën edhe vazhdimet, dallimin e bëri goli i Jackson Laurentinos, i cili ishte heroi i Egnatias duke shënuar në minutën e 114-të nga penalltia për 1:0, gol ky që rezultoi të ishte i triumfit për Egnatian./Lajmi.net/