Kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani, ka pësuar një lëndim muskulor gjatë ndeshjes me Zvicrën, ku u detyrua të largohej në pjesën e dytë.
Për shkak të këtij problemi, mbrojtësi i Napolit nuk u paraqit fare në sfidën e radhës kundër Suedisë.
Mjeku i Napolit, Raffaele Canonico, foli për gjendjen e Rrahmanit në një intervistë për “Radio CRC”, duke sqaruar natyrën e dëmtimit dhe kohën e pritshme të rikuperimit.
“Ai pësoi një dëmtim të lehtë: një këputje të vogël të muskulit të kofshës. Ka filluar tashmë procesin e rehabilitimit. Lëndimet muskulore zakonisht kanë një prognozë prej 2 deri në 10-12 javë dhe varen nga faktorë të ndryshëm. Në rastin e tij bëhet fjalë për një dëmtim të lehtë, kështu që mendoj se do të humbasë vetëm disa ndeshje”, deklaroi Canonico.
Sa i përket rikthimit në fushë, mjeku i Napolit deklaroi që synimi është të kthehet kundër Pisës, por do t’i humbë ndeshjet me Fiorentinën dhe Manchester Cityn në Ligën e Kampionëve.
“Pisa? Mund të jetë i disponueshëm, duke marrë parasysh se pas asaj ndeshjeje ka edhe një javë përpara. Pas rikuperimit klinik, duhet të përfundojë rikuperimin atletik dhe të integrohet përsëri me grupin”, përfundoi mjeku i Napolit.
Ky është një lajm inkurajues për Kosovën, pasi kapiteni pritet të rikthehet shpejt, duke qenë gati për ndeshjet e tetorit, ku “Dardanët” do të luajnë ndeshjet vendimtare.