Kapiteni i kombëtares kroate, Luka Modriq, pas humbjes 0:4 të Realit në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve ka thënë se Manchester City fitoi me meritë, por se ky nuk është fundi i skuadrës aktuale të “klubit mbretëror”.
“Ky është sport, herë fiton e herë humb.
City e meritonte të shkonte në finale”, tha 37-vjeçari Modriç.
“Ne nuk ishim të mirë. Ne donim të luanim më mirë, sigurisht, por City ishte superior. Ne duhet t’i përgëzojmë ata dhe kaq”, tha tutje kroati.
Mediat spanjolle u befasuan në mënyrë të pakëndshme nga humbja me rezultat të lartë dhe performanca e dobët e të gjithë ekipit, ku kritikave u shpëtoi vetëm portieri Thibaut Courtois.
“Kur humbet, këtu bëhet shumë bujë dhe e di këtë shumë mirë.
E di që tani na kritikojnë shumë, por ne jemi këtu dhe duhet të dimë se si ta trajtojmë këtë periudhë. Kritikat nuk do të na gjunjëzojnë. Ne i pranojmë kritikat konstruktive”, shtoi Modriç, i cili me Realin ka fituar pesë herë Ligën e Kampionëve.
I pyetur nëse i ka ardhur fundi ciklit të kësaj skuadre, mesfushori kroat është përgjigjur: “Tani nuk është koha për t’u thelluar në këtë temë. Ky ekip ka ende shumë për të dhënë”.