Luka Modric është vlerësuar si një “shembull i rrallë i jetëgjatësisë sportive” nga përgatitësi atletik i Real Madridit, Antonio Pintus, i cili ka punuar përkrah tij për disa vite në Madrid.
Në një intervistë për Gazzetta dello Sport, Pintus theksoi se suksesi i Modric nuk është rastësor, por rezultat i një profesionalizmi të jashtëzakonshëm dhe përkushtimi të përditshëm.
“Luka kujdeset për çdo detaj, stërvitjen, ushqyerjen, rikuperimin. Ka një mentalitet që e shtyn të mos jetë kurrë i kënaqur. Ai është një shembull i rrallë”, ka thënë fillimisht Pintus.
Ai shtoi se dallimi mes një lojtari të shkëlqyer dhe një lojtari të klasit botëror qëndron te mënyra e të menduarit.
“Modric ka dëshirë për të punuar, gatishmëri për ta shtyrë veten dhe një uri për fitore që nuk shteron kurrë”.
Pintus kujtoi gjithashtu periudhën e tyre të përbashkët në Madrid, duke thënë se Modric ishte gjithmonë i ekuilibruar mes forcës, qëndrueshmërisë dhe parandalimit të lëndimeve.
“Shpërthimi i tij është i natyrshëm, por edhe rezultat i një pune të vazhdueshme dhe të synuar me kalimin e kohës”, përfundoi përgatitësi atletik.
Pas largimit nga Real Madridi, Modric iu bashkua Milanit si lojtar i lirë këtë verë dhe tashmë ka shënuar golin e tij të parë me fanellën kuqezi. Ai ka nënshkruar një kontratë njëvjeçare me mundësi rinovimi për një tjetër sezon.
Largimi i Modric nga Real Madridi pas më shumë se një dekade shënoi fundin e një epoke në “Santiago Bernabeu”, ku ai fitoi gjithçka, përfshirë pesë trofe të Ligës së Kampionëve.
Kalimi i tij te Milani si lojtar i lirë ishte një nga lëvizjet më të komentuara të afatit kalimtar së verës, duke rikthyer emocionin në mesfushën Rossonere.
Në ndeshjet e para me fanellën e Milanit, Modric ka treguar se ende është në gjendje të bëjë diferencën.
Goli i tij debutues me klubin italian konfirmon formën e mirë dhe ndikimin që pritet të ketë në skuadër, si në aspektin teknik ashtu edhe në atë të liderit brenda fushës.