Mohamed Salah ka shkaktuar sërish zhurmë, këtë herë jo për golat e tij të jashtëzakonshëm apo për diskutimet rreth të ardhmes së tij, por për një moment privat që ka ndarë me ndjekësit e tij. “Ylli” i Liverpool ka publikuar një foto familjare, e cila e tregon atë duke festuar Krishtlindjet me gruan dhe vajzat e tij para pemës së Krishtlindjes.
Ky moment i thjeshtë dhe i ngrohtë ka tërhequr vëmendjen e shumë fansave dhe medieve, duke i dhënë një pamje tjetër të jetës së tij jashtë fushës së futbollit.
Postimi i Mohamed Salah me mbishkrimin “Gëzuar Krishtlindjet” ka gjeneruar një reagim masiv në rrjetet sociale, me mbi 50,000 komente dhe më shumë se 500,000 pëlqime brenda vetëm 30 minutash. Megjithatë, shumë egjiptianë kanë shprehur pakënaqësinë e tyre në komentet poshtë fotos, duke e sulmuar 32-vjeçarin. Ata kanë argumentuar se, si një person që i përket fesë islame, Salah po shkel disa parime fetare, duke i cilësuar urimet për Krishtlindje si të papranueshme dhe “haram” (ndaluar). Ky reagim ka nxitur një diskutim të gjërë rreth kufijve të fesë dhe tolerancës ndërfetare, duke theksuar se gjithsesi, Salah vazhdon të jetë një figurë shumë e dashur për shumë njerëz, përfshirë ata që ndjekin besime të tjera.
Salah ka treguar më shumë se njëherë se i përket besimit Islam. futbollisti ka shpërndarë shpesh foto së bashku me familjen e tij duke vizituar Mekën në Arabinë Saudite, gjithashtu një nga vendet e shenjta për popullin islamik. Në fakt, tifozët e zjarrtë mund të kujtojnë sulmuesin që shpesh lutej në fushë përpara se të fillonte ndonjë ndeshje.
View this post on Instagram
Komenti i Mohamed Salah me “Gëzuar Krishtlindjet” shkaktoi një reagim të ndarë mes ndjekësve të tij. Disa egjiptianë shprehen të zhgënjyer, duke e kritikuar për postimin e tij, duke e quajtur “haram” veprimin e tij dhe duke i kërkuar të heqë foton. Një koment i tillë lexonte: “Më zhgënjeve vëlla”, ndërsa një tjetër përdorues shkroi: “Fshije këtë tani”. Disa shprehen zhgënjim më të thellë, si një komentues që shkroi: “Ne muslimanët shikojmë drejt jush dhe ju e bëni këtë në këmbim”, duke përdorur emoji që qajnë për të shprehur pakënaqësinë.
Megjithatë, shumë tifozë të Salah dolën në mbrojtje të tij. Një komentues, @jamesredmond_97, i uroi atij dhe familjes një “Gëzuar Krishtlindjet”, duke i inkurajuar ta injoronte reagimin e ashpër të disa përdoruesve, ndërsa një tjetër, @Pras_fpl, vuri në dukje se ky reagim ishte tashmë pjesë e një tradite vjetore, duke thënë: “Në atë që është bërë një traditë vjetore në ditën e Krishtlindjes, lexoj dhe kënaqem me komentet në postimin e Salah për një orë. Asnjëherë nuk zhgënjen.”
Kjo situatë ka nxjerrë në pah ndarjen mes atyre që mbështesin traditat fetare dhe ata që besojnë në një qasje më të hapur ndaj festimeve ndërfetare, duke reflektuar përpjekjet e Salah për të ruajtur një imazh të ngrohtë dhe të respektueshëm me ndjekësit e tij, pa marrë parasysh fe dhe besime të ndryshme.
/vizionplus.tv